Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ekspozita e Gallianos në “MET Gala” ngjall polemika: A mund të ndahet arti nga gabimet e artistit?

John Galliano

John Galliano

Foto: Associated Press

Muzeu Metropolitan i Artit (Met) në New York ka njoftuar se ekspozita e pranverës 2027, “MET Gala”, do t’i kushtohet disenjatorit britanik John Galliano, një nga emrat më të rëndësishëm të modës. 

Disa nga krijimet e Gallianos për brendin "Dior". Fotografi nga agjencia e lajmeve Associated Press.

Megjithatë, CNN ka shkruar se vendimi ka shkaktuar debat, për shkak të komenteve antisemitiste dhe raciste që Galliano bëri në vitin 2010.

Pas publikimit të videos ku ai shprehej me fjalë fyese dhe lavdëronte Adolf Hitlerin, Galliano u pushua nga “Dior”, u shpall fajtor nga një gjykatë franceze dhe kaloi disa vite larg botës së modës. Më vonë ai u rikthye si drejtor kreativ i brendit, “Maison Margiela”, duke rindërtuar karrierën e tij.

“Met” ka bërë të ditur se ekspozita, e titulluar “John Galliano: Horizons”, nuk do ta anashkalojë të kaluarën e stilistit.

Sipas përfaqësuesve të muzeut, ekspozita do të shqyrtojë se si arritjet artistike duhen parë krahas përgjegjësisë etike.

Edhe Rikthimi i Gallianos Lifestyle Rikthimi i Gallianos

Kuratori i ekspozitës, Andrew Bolton, ka thënë se ajo do të trajtojë njëkohësisht ndikimin e Gallianos në modë dhe pasojat e sjelljes së tij.

“Ekspozita do të tregojë se si Galliano ka ndryshuar botën e modës, por edhe se si veprimet e tij dhe pasojat e tyre kanë ndryshuar mënyrën se si e shohim veprën e tij”, ka thënë Bolton.

Galliano ka kërkuar falje për deklaratat e tij. Në dokumentarin “High & Low: John Galliano”, ai i përshkroi ato si “Një gjë e neveritshme dhe e turpshme që kam bërë”.

Ai ka pranuar se në atë periudhë vuante nga varësia nga alkooli dhe droga.

Krijimet e koleksioni të Gallianos për periudhën pranverë-verë 2018-2019 në Paris. Fotografi nga agjencia e lajmeve Associated Press.

Megjithatë, jo të gjithë besojnë se ai duhet të nderohet me një ekspozitë të tillë. Nate Wolfson, nga organizata amerikane “Nexus Project”, ka thënë se është e rëndësishme që e kaluara e stilistit të mos zbutet.

Edhe “Zara” bashkëpunon me John Galliano për koleksione të reja Lifestyle “Zara” bashkëpunon me John Galliano për koleksione të reja

“Shpresa jonë është që ekspozita të mos e fshehë të kaluarën për ta bërë më të lehtë për publikun. Përkundrazi, ajo duhet ta vendosë atë në qendër të vëmendjes, që njerëzit të kuptojnë sa shqetësuese ishte dhe çfarë përpjekjesh janë bërë për pendim dhe ndryshim”, ka thënë Wolfson.

Nga ana tjetër, ekspertë të modës pranojnë se Galliano mbetet një nga stilistët më me ndikim të dekadave të fundit.

Galliano me modelen e mirënjohur Naomi Campbell dhe një tjetër modele, gjatë shfaqjes së koleksionit couture për brendin "Christian Dior" të periudhës pranverë/verë 1997. Fotografi nga agjencia e lajmave Associated Press.

“A e meriton si njeri? Është e diskutueshme. A e meriton si stilist? Pa asnjë dyshim”, ka thënë gazetarja e modës e kulturës nga Parisi, Dana Thomas.

Edhe ish-kryeredaktorja e prestigjiozes Vogue, Anna Wintour, një mbështetëse e kahershme e Gallianos, e mbrojti vendimin e “Met-it”.

Edhe Lopez: “Met Gala” 2024 ishte një moment ikonik, por edhe periudhë e vështirë për mua Showbiz Lopez: “Met Gala” 2024 ishte një moment ikonik, por edhe periudhë e vështirë për mua

“Nuk ka njeri më të denjë për një ekspozitë të kësaj përmase sesa John Galliano. Ekspozita nuk do t’i shmanget errësirës së së kaluarës së tij. Edhe ajo është pjesë e historisë që e ka formësuar”, ka thënë ajo.

Ekspozita pritet të hapet në pranverën e vitit 2027 dhe, sipas CNN-it, synon të hapë një debat më të gjerë: A mund të vlerësohet vepra e një artisti pa harruar gabimet e tij?