Disenjatori i mirënjohur, John Galliano është rikthyer, por jo në një sfilatë “couture” që të lë pa frymë, por si bashkëpunëtor për rikonstruktimin e veshjeve të brendit të modës së shpejtë “Zara”.
“Salvador Dalí i modës”, njeriu që dikur transformoi brendin e mirënjohur të modës franceze, “Dior”, në teatër surrealist, tani do të “ri-krijojë” arkivat e “Zaras”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Po kuroja arkivat e Zaras… ideja është t’i ri-konstruktoj”, pati thënë ai për Voguen gjatë Javës së Modës në Paris.
Sepse sigurisht, sipas njohësve të modës, fjala “re-design” është shumë e thjeshtë për një njeri që e ka kthyer modën në performancë.
Në muajin janar, Galliano u pa në rreshtin e parë në debutimin në “houte couture” të disenjatorit të ri në “Dior” Jonathan Anderson.
“Kur isha në shkollë, madje edhe para se të shkoja në shkollë, John ishte hero për mua”, pati thënë Anderson, duke theksuar se Galliano e ka drejtuar “Diorin” për një periudhë më të gjatë sesa vetë themeluesi i brendit.
“Për mua, në botën moderne, ai është Diori”, ka shtuar ai.
Koleksioni i Andersonit kishte ndikim të dukshëm nga Galliano, me referenca ndaj dizajneve të tij të mëparshme, si dhe me përdorimin e lules me ngjyrë rozë në nuancë vjollce, një simbol që Galliano ia kishte dhuruar në takimin e tyre të parë, të integruar në shumë veshje, si edhe me skenografinë mbresëlënëse në Musée Rodin.
Bashkëpunimi i Gallianos me “Zaran” erdhi përmes miqësisë së tij me Marta Ortega Pérez, vajza e themeluesit të kompanisë së tekstilit “Inditex”, e cila duket se po e shtyn “Zaran” drejt një identiteti më “intelektual”, ose të paktën më të shtrenjtë.
Por, ky është i njëjti Galliano që industria e modës e ngriti në qiell, e më pas e rrëzoi pas deklaratave raciste dhe antisemitiste të cilat i ka bërë në vitin 2011.
BBC në atë kohë pati raportuar se Galliano u shpall fajtor nga një gjykatë në Paris për këto deklarata, pas disa incidenteve që kanë ndodhur në vitet 2010 dhe 2011.
Disenjatori, i cili u shkarkua nga “Dior” pas arrestimit, ka kërkuar falje në gjykatë.
“Këto nuk janë bindjet e mia… kërkoj falje për dhimbjen që ka shkaktuar kjo situate”, pati thënë ai.
Ai ka pretenduar se nuk i kujtonte ngjarjet dhe fajësoi varësinë nga alkooli dhe droga për sjelljen e tij.
Sipas gjykatës, Galliano kishte fyer një grua për shkak të përkatësisë së saj hebreje dhe kishte përdorur gjuhë raciste ndaj një personi tjetër.
Në një video të paraqitur si provë, ai dëgjohej duke shprehur mbështetje për Hitlerin.
Akuzat përfshinin “fyerje publike bazuar në origjinë, fe, racë apo etni”.
Ani pse rrezikonte deri në gjashtë muaj burg, prokuroria nuk ka kërkuar dënim me burg.
Ai u gjobit dhe u detyrua të paguajë një shumë simbolike dëmshpërblimi për viktimat dhe organizatat kundër racizmit.
“Z. Galliano është i lehtësuar… dhe shpreson për mirëkuptim dhe falje në të ardhmen”, pati thënë avokati i tij pas vendimit.
Sipas raportimeve, gjyqtarët e panë atë si një person që kishte nevojë për ndihmë, më shumë sesa për ndëshkim.
Megjithatë, pasoja më e madhe ishte dëmtimi i karrierës së tij, pasi u largua nga “Dior” dhe humbi reputacionin në industrinë e modës, gjë që e shndërroi nga gjeniu në “problem publik”.
Por megjithatë, moda nuk e harron kurrë talentin.
Pas një dekade rehabilitimi në brendin e mirënjohur “Maison Margiela”, ku krijoi një univers të ri, më të errët dhe më eksperimental, ai tani rikthehet në “Zara”, gjë që njohësit e modës e vlerësojnë si diçka pak ironike, por shumë strategjike.
Vetë ai e përshkruan procesin si diçka të re.
“Është diçka që nuk e kam bërë më parë. Kjo më jep emocion”, ka thënë ai, duke shtuar se projekti është edhe “i qëndrueshëm nga pikëpamja kreative”.
Ndërkohë, për dy vjet, Galliano ka treguar se ka qenë “jashtë rrotës së çmendur” të modës.
“Kam shkuar në muze, kam ecur në pyll pa telefon… kam rilidhur instinktin tim”, ka treguar ai.
Po aq dramatik sa koleksionet e tij, ylli madje po punon në heshtje në një atelier diku në Paris, duke krijuar dizajne që, sipas tij, janë “përtej gjinisë dhe përtej sezoneve”.
“Diori” nuk ka qenë kurrë më origjinal në krijime sesa gjatë epokës së Gallianos, një periudhë që shumë e konsiderojnë si kulmin kreativ të shtëpisë, edhe pas vdekjes së vet themeluesit të brendit, Christian Dior.
Koleksioni i parë i Gallianos për “Zaran” pritet të dalë në muajin shtator.
“Të sjellësh modën përmes një platforme kaq të madhe… kjo është emocionuese”, ka thënë ai.
“Zara” po synon të rrisë cilësinë dhe imazhin për të tërhequr klientë më premium.
Në vitet e fundit, “Zara” është përballur me konkurrencë të fortë nga brende të tjera të modës së shpejtë si “Shein” dhe “Temu”, që kanë fituar shumë klientë të rinj me çmime të ulëta.
Si përgjigje, “Zara” ka rritur çmimet mesatare, ka sjellë produkte më cilësore dhe më moderne, si dhe ka investuar në dyqane më luksoze.