Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

“Met Gala” 2027 zgjedh thjeshtësinë me ekspozitë për veshjet e përditshme

Bhavitha Mandava, fotografi nga Getty

Bhavitha Mandava, fotografi nga Getty

Pas polemikave që shkaktoi ideja për t’ia kushtuar ekspozitën e vitit 2027 disenjatorit John Galliano, Muzeu Metropolitan i Artit në New York ka prezantuar një temë të re për ngjarjen më të madhe të modës “Met Gala”, veshjet e përditshme dhe bukuria e tyre e veçantë, ka shkruar CNN.

Ekspozita, e titulluar “ExtraOrdinary: Fashion and the Poetics of the Everyday” (E jashtëzakonshme: Moda dhe poezia e përditshmërisë), do të hapet në muajin maj të vitit të ardhshëm dhe do të sjellë rreth 230 veshje, duke përfshirë xhinse, bluza të thjeshta, xhaketa dhe krijime të realizuara nga materiale të zakonshme si letra dhe plastika.

Përmes kësaj ekspozite, organizatorët synojnë të tregojnë se edhe veshjet më të thjeshta mund të kenë vlera artistike dhe të kthehen në krijime të veçanta. Në mesin e pjesëve të ekspozuara do të jenë një xhaketë lëkure nga stilisti japonez Junya Watanabe, fustane luksoze të frymëzuara nga xhupat e fryrë, si dhe krijime që imitojnë pamjen e xhinseve.

“E zakonshmja nuk është kurrë aq e thjeshtë sa duket”, ka deklaruar Andrew Bolton, kuratori kryesor i Institutit të Kostumeve në muze.

Bolton ka shpjeguar se tema e re lidhet me idenë e ekspozitës së këtij viti, e cila trajtonte mënyrën se si vishen dhe përdoren rrobat. Ai pranoi gjithashtu se anulimi i ekspozitës së planifikuar për John Gallianon e kishte vënë përballë një sfide, duke thënë se nuk kishte përgatitur një alternativë.

“Për mua ishte e rëndësishme të krijonim një ekspozitë që të ishte po aq sfiduese, provokuese dhe e bukur sa do të kishte qenë ekspozita për John Gallianon”, u shpreh ai.

Sipas gazetës The New York Times, shefja e gjigandit “CondeNast”, Anna Wintour nuk ishte e përfshirë në përzgjedhjen e temës së re.

Ndërkohë, kodi i veshjes për tepihun e kuq të “Met Galas” 2027 ende nuk është bërë i ditur. Megjithatë, Bolton shpreson që vizitorët e ekspozitës të vijnë me xhinset dhe bluzat e tyre të preferuara.

Mbetet për t’u parë nëse edhe yjet do ta marrin këtë ide si frymëzim për mbrëmjen më të rëndësishme të modës. Sipas, gazetarws Lean Dolan nga CNN, një kod veshjeje i bazuar te stili i përditshëm mund të sjellë një ndryshim nga paraqitjet luksoze dhe ekstravagante që kanë dominuar tapetin e kuq vitet e fundit.

Në “Met Gala” e fundit, modelja Bhavitha Mandava tërhoqi vëmendjen pikërisht me një kombinim të thjeshtë, xhinse nga brendi “Chanel” dhe një bluzë transparente me zinxhir në pjesën e sipërme. Në atë kohë, shumë njerëz e konsideruan veshjen tepër të zakonshme për një ngjarje të tillë. Por duket se ajo ishte thjesht një hap përpara trendit të vitit të ardhshëm.

Bhavitha Mandava, në "Met Gala" 2026