Showbiz

Sydney Sweeney mes debatit për reklamën e xhinseve

Sydney Sweeney në reklamën e American Eagle

Sydney Sweeney në reklamën e American Eagle

Foto: Associated Press

Aktorja e njohur, Sydney Sweeney, është në qendër të vëmendjes, pasi u zbulua se është e regjistruar si votuese e Partisë Republikane në Florida, një lajm që u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, ndërsa publiku vazhdon të flasë për fushatën e saj të re me brendin “American Eagle” dhe lojën e fjalëve “genes/jeans”.

Sipas dokumenteve publike të siguruara nga The Guardian, ylli i serialeve “Euphoria” dhe “White Lotus” është regjistruar për të votuar më 14 qershor 2024, vetëm pak kohë pasi bleu një vilë në Florida. Në regjistrimin e saj, ajo ka deklaruar përkatësinë politike si Republikane.

Ky zhvillim ndodhi rreth dy javë pas dënimit të Donald Trump në New York për falsifikim të të dhënave financiare, por gjithashtu përpara se ai të fitonte mandatin e dytë si president. Si Sweeney, ashtu edhe Trump, janë votues të regjistruar në Florida nën flamurin republikan.

Kjo nuk është hera e parë që Sweeney përballet me reagime për çështje të ndjeshme politike. Dy vjet më parë, ajo u kritikua pasi në festën e ditëlindjes së nënës së saj u panë disa të ftuar me kapele që ngjanin me ato të famshme të fushatës “Make America Great Again” të Donald Trump.

“Një festë e pafajshme… është kthyer në një deklaratë absurde politike, gjë që nuk ishte aspak qëllimi”, pati shkruar ajo në rrjete sociale, duke u kërkuar njerëzve të “ndalojnë së bëri supozime”.

Aktualisht, reagimet ndaj saj janë intensifikuar për shkak të reklamës së re të xhinseve nga brendi “American Eagle”, ku Sweeney shfaqet me veshje të markës dhe sloganin me lojë fjalësh: “Sydney Sweeney has great genes” (Sydney Sweeney ka gjene të shkëlqyera), ku më pas “genes” ndërrohet me “jeans” (xhinse).

“Gjenet trashëgohen nga prindërit te fëmijët, duke përcaktuar tipare si ngjyra e flokëve, personaliteti dhe ngjyra e syve. Xhinset e mia janë blu”, thotë ajo në njërën nga videoreklamat.
Në video ka gjithashtu një shaka që nënkupton se kameramani shpërqendrohet nga gjoksi i saj.

Disa përdorues të rrjeteve sociale e quajtën fushatën si të “pa hijshme” dhe paralajmëruan se përdorimi i fjalës “gjene” në këtë mënyrë, në një klimë të ndezur politike, mund të ngjallë aludime të rrezikshme me ide të së kaluarës, si për shembull eugjenika apo epërsia racore.
Një video reagimi në TikTok, që mori qindra mijëra pëlqime, e akuzoi Sweeney se po injoron realitetin politik.
“Është si të shikosh propagandë naziste”, thuhet në video.

Nga ana tjetër, shumë konservatorë amerikanë u shprehën të entuziazmuar nga kritikat që iu bënë fushatës së saj, duke e parë si një “grusht ndaj reklamave woke” dhe si shembull të “kulturës së anulimit” që sipas tyre ka dalë jashtë kontrollit.

“Të kritikosh bashkëpunimin e Sweeney me ‘American Eagle’ është shembulli i qartë i një kulture anulimi të shfrenuar”, ka shkruar në rrjete sociale zëdhënësi i Trumpit, Steven Cheung.
Madje edhe vetë Trump, kur u informua nga një gazetar për regjistrimin e saj si republikane, nga “Air Force One” ai tha se tani i pëlqen edhe më shumë reklama.
“Oh, tani më pëlqen edhe më shumë ajo reklamë”, ka thënë presidenti.

Pavarësisht polemikave, shumë përdorues të rrjeteve sociale e kanë quajtur reagimin ndaj Sweeneyy dhe “American Eagle” si të tepruar dhe të ekzagjeruar.

“‘Sydney Sweeney Has Great Jeans’ ka qenë dhe mbetet një lojë fjalësh për xhinset. Xhinset e saj. Historia e saj”, ka deklaruar vetë kompania në mbrojtje të fushatës.

Kjo situatë bie në kontrast të fortë me fushatën e “Bud Light” në vitin 2023, kur bashkëpunimi me aktivisten transgjinore Dylan Mulvaney u pasua me bojkot të organizuar nga konservatorët, çka ndikoi rëndë në shitjet e birrës dhe pozicionin e saj në treg.

“Askush nuk po përpiqet ta anulojë Sydney Sweeneyn. Dhe askujt nuk i intereson nëse është Republikane apo jo”, ka shkruar në X, një llogari me emrin Wu Tang is for the Children, që ka mbi 270,000 ndjekës.