Nëse koha e ushqimit me fëmijën tuaj ngjan më shumë me një negociatë sesa me një vakt të qetë, nuk jeni vetëm. Sipas mjekëve britanikë, më shumë se gjysma e fëmijëve tregojnë zakone të vështira ngrënieje e që bëjnë shumë naze.
Charlotte Stirling-Reed, nutricioniste për fëmijë dhe foshnja, ka folur për CBeebies Parental Helpline rreth mënyrave më të mira për ta menaxhuar këtë fazë, duke theksuar se prindërit nuk duhet të ndihen fajtorë, ka raportuar BBC.
“Është një pjesë krejt normale e zhvillimit të shumë fëmijëve. Ka shumë familje që po përballen me këtë. Mos mendoni se është vetëm te ju, sepse nuk është”, ka thënë ajo.
1. Lejojini të zgjedhin
Edhe pse mund të duket kundërintuitive, lejimi i fëmijës që të zgjedhë çfarë do të hajë mund t’i inkurajojë ata të provojnë më shumë gjëra.
“Nëse fëmija juaj thotë, ‘Nuk dua ta ha këtë ushqim’, atëherë t’i thuash, ‘është në rregull’, është qasje shumë më e dobishme”, ka shpjeguar Stirling-Reed.
Sipas saj, fëmijët kërkojnë autonomi dhe kur u japim mundësinë të vendosin vetë, shpesh janë më të gatshëm të provojnë ushqimin. Ajo shton se zgjatja me forcë e kohës së ngrënies vetëm e përkeqëson situatën.
2. Mos e ndani ushqimin në “ushqim të mirë” dhe “të keq”
Etiketimi i ushqimeve si të mira apo të këqija mund të ndikojë negativisht në marrëdhënien e fëmijës me ushqimin.
“Përpiquni të jeni neutralë. Shmangni fraza si ‘nëse e ha këtë, do të marrësh shpërblim’ ose ndëshkime. Gjithçka e tillë mund të ketë efekt shumë negativ”, ka thënë Stirling-Reed.
Në vend të kësaj, ajo këshillon prindërit të tregojnë me shembull se si duket ekuilibri dhe moderimi.
“Nuk kemi pse t'i cilësojmë ushqimet e caktuara si ‘të këqija’. Thjesht disa i hamë më rrallë se të tjerat”, ka thënë ajo.
3. Bëjeni përvojë argëtuese
Kur ushqimi shihet si problem, fëmijët shpesh nuk duan të jenë në tryezë. Stirling-Reed sugjeron që të krijoni një atmosferë të këndshme gjatë vakteve.
“Merrni një libër, bëni biseda të këndshme. Mund të thoni: ‘Tani do ta lëmë librin dhe do të hamë’. Por mos u fokusoni vetëm te ushqimi. Mundohuni ta bëni kohën në tryezë argëtuese”, ka thënë ajo.
4. Merrni parasysh oreksin
Rreth moshës njëvjeçare, rritja e fëmijës ngadalësohet dhe oreksi mund të bjerë.
“Ka periudha kur oreksi është më i madh dhe periudha kur është më i vogël. Ashtu si ne nuk kemi gjithmonë të njëjtin oreks, e njëjta gjë vlen edhe për fëmijët”, thekson Stirling-Reed.
Ajo këshillon qasjen që quhet “ushqyerja reaguese”: prindi vendos strukturën e vakteve (mëngjes, drekë, darkë) dhe ofron ushqimin, por fëmija vendos sa do të hajë.
“Nëse fëmija është aktiv dhe po rritet, ka shumë gjasa që po merr mjaftueshëm ushqim”, ka shtuar ajo, duke këshilluar që në rast shqetësimesh prindërit të konsultohen me mjekun e familjes.
5. Përfshijini në përgatitje
Sa më shumë të jenë pjesë e procesit, aq më të hapur bëhen fëmijët ndaj ushqimeve të reja.
“Fëmijët duan të ndihen të njohur me ushqimet. Sa më shumë ekspozim të kenë, aq më shumë gjasa ka që të pranojnë t’i provojnë”, ka shpjeguar Stirling-Reed.
Ajo rekomandon aktivitete të thjeshta si: të ndihmojnë në shtrimin e tavolinës, në përzierjen e përbërësve, të bëjnë pazar bashkë ose të lexojnë libra për ushqimin. Për prindërit e zënë, Stirling-Reed sugjeron ushqime të shëndetshme dhe të shpejta.
“Gjërat si arra të bluara, fara, një grusht fruta apo perime të ngrira. Ose për shembull, t’i përzieni domatet e konservuara me thjerrëza dhe perime të ngrira, dhe ja ku e keni një salcë të shëndetshme e plot vlera ushqyese për makarona”, ka thënë ajo.