Një studim i ri, që është botuar në revistën shkencore “Heart”, ka treguar se përdorimi i kanabisit mund të dyfishojë rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare dhe të rrisë për 20 për qind rrezikun për të pësuar sulm në tru, ka raportuar The Guardian.
Këto të dhëna vijnë nga një analizë globale e kryer nga studiuesit në Universitetin e Toulouse në Francë, të cilët kanë thënë se ky zbulim “ngre pyetje serioze për rreziqet shëndetësore që lidhen me kanabisin”.
Numri i personave që përdorin kanabis dhe produkte që përmbajnë kanabinoidë është rritur dukshëm në dekadën e fundit. Ani pse më parë është folur për lidhjen mes kanabisit dhe problemeve me zemrën, shkalla e rrezikut nuk ishte qartësuar deri tash.
Studiuesit kanë shqyrtuar të dhëna të mbledhura nga 24 studime të mëdha, të realizuara mes viteve 2016 dhe 2023, duke përfshirë rreth 200 milionë persona.
Analiza ka treguar se përdorimi i kanabisit lidhet me:
29 për qind rrezik më të lartë për sindromën akute koronare (probleme serioze me zemrën)
20 për qind rrezik më të lartë për sulm në tru
Dyfishim të rrezikut për të vdekur nga sëmundjet e zemrës
Ani pse studiuesit kanë pranuar se ky studim ka disa kufizime, si mungesa e të dhënave të sakta për sasinë e përdorimit të kanabisit dhe fakti që shumica e studimeve ishin vëzhguese, ata kanë theksuar se kjo është “analizë gjithëpërfshirëse e të dhënave të botuara deri tani për lidhjen mes kanabisit dhe sëmundjeve të mëdha të zemrës”.
“Këto gjetje duhet të rrisin ndërgjegjësimin e përgjithshëm për potencialin që ka kanabisi për të shkaktuar dëm kardiovaskular”, thuhet në deklaratën e studimit.
Në një artikull të përbashkët editorial në lidhje me këtë studim, profesor Stanton Glantz dhe doktoresha Lynn Silver nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko, kanë shkruar se studimi ngre pyetje serioze nëse kanabisi përbën rrezik për zemrën.
“Ky studim ngre pyetje serioze rreth supozimit se kanabisi paraqet pak rrezik për zemrën”, kanë shkruar profesorët në editorialin në fjalë.
Ata kanë shtuar se nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar nëse rreziqet vijnë vetëm nga produktet që thithen apo edhe nga format e tjera të kanabisit, si ushqimet apo produktet sintetike.
“Kanabisi sot është më i fuqishëm dhe është zhvilluar në një gamë të gjerë produktesh të thithshme me përqendrim të lartë, kanabinoidë sintetikë dhe ushqime që përmbajnë kanabis”, kanë shkruar tutje ata.
Doktorët kanë theksuar se duhet kuptuar “nëse rreziku vjen nga vetë kanabinoidët apo nga grimcat, përbërësit aromatikë apo elementë të tjerë që thithen gjatë përdorimit”.
Në përfundim, ata kanë sugjeruar se kanabisi duhet të përfshihet si strategji për parandalimin e sëmundjeve të zemrës duke cekur nëpër rregullore rreziqet shëndetësore që përbën.
“Duhet të zhvillohen paralajmërime efektive për produktet, edukim mbi rreziqet, dhe kanabisi duhet të trajtohet si duhani: jo të kriminalizohet, por të dekurajohet, dhe të mbrohen personat e tjerë nga ekspozimi i dorës së dytë”, thuhet ndër të tjera në artikullin editorial.