Më shumë se 99 për qind e rasteve të sëmundjeve të zemrës lidhen me një faktor rreziku që mund të parandalohet ose kontrollohet para se të shfaqet sëmundja, tregon studimi i ri, raporton CNN.
Studimi, i publikuar në Journal of the American College of Cardiology, analizoi mbi 600 mijë raste të sëmundjeve kardiovaskulare në Korenë e Jugut dhe rreth 1 mijë raste në Shtetet e Bashkuara.
Studiuesit zbuluan se pothuajse të gjithë pacientët kishin të paktën një faktor rreziku, si tension i lartë, nivel i lartë i sheqerit në gjak, yndyrë të dëmshme në gjak apo duhanpirje, para se të pësonin infarkt apo sulm në tru.
“Edhe rritjet ‘të lehta’ të këtyre katër faktorëve duhen trajtuar me ndryshime në stilin e jetesës ose me ilaçe”, ka thënë doktori Philip Greenland, autor kryesor i studimit dhe profesor i mjekësisë parandaluese në Northwestern University në Chicago.
Doktoresha Susan Cheng, nga Cedars-Sinai Medical Center në Los Angeles, e cila nuk ishte pjesë e studimit, ka theksuar rëndësinë e këtij zbulimi.
“Studimi tregon qartë se mjekët dhe pacientët mund të menaxhojnë faktorët e rrezikut për pothuajse të gjitha rastet e sëmundjeve të zemrës”, ka thënë ajo.
Doktoresha ka shpjeguar se ndonjëherë pacienti nuk diagnostikohet zyrtarisht me diabet apo tension të lartë, por analizat tregojnë se nivelet e tij janë problematike.
“Duke parë të dhënat mjekësore në mënyrë më të gjerë, studiuesit gjetën se pothuajse të gjitha rastet kishin rreziqe tradicionale dhe të modifikueshme përpara se të zhvillohej sëmundja kardiovaskulare”, ka thënë Cheng.
Doktoresha Karen Joynt Maddox nga Washington University në St. Louis ka shtuar se sfida kryesore është t’ua shpjegosh pacientëve rrezikun me kohë.
“Kur dikush ka tashmë një sëmundje, është më e lehtë ta motivojmë për të ndryshuar stilin e jetesës. Por është më vështirë t’u komunikosh rrezikun për diçka që mund të ndodhë pas disa vitesh”, ka thënë ajo.
Një tjetër problem, sipas doktorit Ahmed Tawakol nga Harvard Medical School, është perceptimi se ilaçet për tension, yndyrë në gjak apo sheqer lidhen me plakjen.
“Unë e shoh ndryshe: nuk është të humbësh diçka, por të fitosh jetëgjatësi. Menaxhimi i këtyre faktorëve do të thotë të ruash shëndetin dhe vitet aktive, për të bërë gjërat që kanë kuptim për ty”, ka thënë ai.
Ekspertët theksojnë se përveç trajtimit klinik, rol të rëndësishëm kanë edhe zakonet e përditshme si gjumi i mirë, ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik, mbajtja e peshës së duhur dhe reduktimi i stresit.
“Stresi dhe depresioni dalin të jenë faktorë rreziku po aq të fortë sa duhanpirja dhe diabeti. Shpresoj që sa më shumë të tregojmë efektin e trajtimit të këtyre faktorëve së bashku, aq më shumë njerëzit do t’i kombinojnë këto qasje dhe do të jetojnë jetë më të gjatë e më të shëndetshme”, ka paralajmëruar Tawakol.