Mosha në të cilën një person fillon të pijë duhan ka ndikim shumë më të madh në shëndetin e zemrës sesa vetë vitet e pirjes së duhanit, sugjeron një studim i ri shkencor, ka raportuar The Sun.
Sipas shkencëtarëve nga Koreja e Jugut, nisja e duhanit para moshës 20-vjeçare mund ta dyfishojë rrezikun për sulm në zemër e në tru, edhe nëse personi e ka lënë duhanin prej shumë vitesh.
Studiuesit nga Spitali Universitar Kombëtar i Seulit kanë analizuar të dhënat shëndetësore të mbi 9 milionë të rriturve. Ata kanë zbuluar se personat që kishin filluar duhanin para moshës 20-vjeçare kishin rrezik dukshëm më të lartë për sulm në zemër dhe në tru, krahasuar me ata që kishin filluar pas moshës 30-vjeçare.
“Fillimi i hershëm i pirjes së duhanit lidhet me rritje të rrezikut për infarkt në zemër dhe sulm në tru. Masat e përqendruara për parandalimin e duhanit janë veçanërisht të nevojshme për adoleshentët dhe të rinjtë”, kanë shkruar autorët e studimit në revistën shkencore Nature.
Pirja e duhanit është një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve kardiovaskulare, por edhe të sëmundjeve të mushkërive dhe kancerit.
Kimikalet në cigare ndihmojnë që yndyrat të ngjiten më lehtë në muret e enëve të gjakut, duke i bllokuar ato dhe duke zvogëluar qarkullimin e gjakut.
Nëse bllokohen arteriet që furnizojnë zemrën me gjak, mund të ndodhë një sulm në zemër. Ndërsa goditja në tru ndodh kur bllokohen enët e gjakut që furnizojnë trurin.
Sipas British Heart Foundation, deri në 40 persona humbin jetën çdo ditë si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare të lidhura me duhanin. Në Britani, rreth 74,600 vdekje në vitin 2019 ishin të lidhura me pirjen e duhanit, sipas të dhënave të Shërbimit Shëndetësor Britanik (NHS).
Po atë vit, 35 për qind e vdekjeve nga sëmundjet e frymëmarrjes dhe 25 për qind e vdekjeve nga kanceri iu atribuuan duhanit.
Deri tani, shumica e studimeve janë fokusuar te sasia e duhanit të pirë gjatë jetës, e matur me të ashtuquajturat “vjet-pako”.
Ky term llogaritet duke shumëzuar numrin e pakove të konsumuara në ditë me vitet e pirjes së duhanit. Për shembull, një pako në ditë për 10 vjet barazohet me 10 vjet-pako.
Por ky studim ka treguar se ndikimi i “vjetëve-pako” në rrezikun e sulmit në zemër dhe në tru ndryshon në varësi të moshës kur ka filluar pirja e duhanit.
Rreziku rritej me shtimin e vjetëve-pako, por shumë më shpejt te personat që kishin filluar duhanin në moshë të re.
Ata që kishin filluar para moshës 20-vjeçaree dhe kishin mbi 20 vjet-pako, kishin 2.43 herë më shumë rrezik për sulm në zemër ose në tru, krahasuar me ata që kishin më pak se 10 vjet-pako.
Në krahasim, personat që kishin filluar duhanin pas moshës 30-vjeçare kishin rreth 1.26 herë më shumë rrezik për të njëjtin nivel pirjeje.
Edhe ata që kishin qenë duhanpirës të rëndë, por e kishin lënë duhanin, vazhdonin të kishin rrezik më të lartë.
Krahasuar me personat që nuk kishin pirë kurrë duhan, ata kishin më shumë se dyfish rrezik për sulm në zemër dhe rreth 80 për qind më shumë rrezik për goditje në tru.
Personat që kishin filluar duhanin para moshës 15-vjeçare rezultuan grupi më i rrezikuar për sulm në zemër, sulm në tru, sëmundje kardiovaskulare dhe vdekje.
Studiuesit sugjerojnë se fillimi i hershëm i duhanit mund të lidhet me varësi më të fortë nga nikotina, dëmtim të hershëm të enëve të gjakut dhe procese inflamatore në organizëm.
Sipas tyre ky zakon shpesh shoqërohet edhe me faktorë të tjerë rreziku, si mungesa e aktivitetit fizik, obeziteti, konsum më i lartë i alkoolit dhe ushqimit të përpunuar.
“Këto lidhje mund të vazhdojnë edhe pas lënies së duhanit, pasi lidhen me mënyrën e jetesës që formohet që në adoleshencë. Rezultatet tona theksojnë nevojën urgjente për përpjekje parandaluese kundër duhanit te adoleshentët dhe të rinjtë, për të përmirësuar shëndetin kardiovaskular të popullatës”, thuhet në raportin e studimit.