I është dhënë e drejtë Këshillit Prokurorial që kohëzgjatja e mandatit të Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik ta përcaktojë vetëm në tre vjet. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të publikuar të martën, rikthehet në fuqi rregullorja e re për Koordinatorin, pasi vjet Supremja e kishte shfuqizuar. Rasti ishte iniciuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme i marrë më 14 korrik 2025.
Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm aktgjykimin e Gjykatës Supreme me anë të së cilit pati anuluar Rregulloren e Këshillit Prokurorial lidhur me mandatin e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.
Rastin në Kushtetuese e ka dërguar KPK-ja, pasi më herët Supremja i kishte dhënë të drejtë prokurorit Shqipdon Fazliu, në padinë e tij ndaj KPK-së.
Pra, në vitin 2013 themelohet Institucioni i Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik (IKKLKE), në atë kohë u hartua edhe rregullorja, e në bazë të saj, në krye të këtij institucioni u vendos prokurori Fazliu.
Në prill 2025, KPK-ja ndryshoi rregulloren dhe mandatin e Koordinatorit e caktoi të jetë tre vjet, me mundësi vazhdimi edhe një mandat.
Por, prokurori Fazliu paditi KPK-në në Supreme dhe fitoi rastin.
Edhe
Kushtetuesja shfuqizon aktgjykimin e Supremes për Koordinatorin Kombëtar të Krimit Ekonomik
E në aktgjykimin e Kushtetueses, theksohet se Këshilli Prokurorial ka pasur të drejtë të ndryshojë rregulloren.
“Është e qartë që Rregullorja [nr.04/2025] (I) është miratuar nga një organi i autorizuar, në këtë rast KPK (II) ka pasur bazën ligjore; (III) përmbajtja e aktit nënligjor është brenda kufijve të përcaktuar me ligj; dhe (IV) nuk ka krijuar rregulla të reja ligjore të karakterit të përgjithshëm që do të konkurronin me rregullat e përcaktuara me ligj”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.
Një nga kushtet për t'u bërë Koordinator për Luftimin e Krimit Ekonomik ishte që personi të jetë prokuror me mandat të përhershëm, por sipas Kushtetueses, kjo nuk nënkupton që mandati si Koordinator është i përhershëm, ashtu siç ka pretenduar pala.
“Rrjedhimisht, deri në nxjerrjen e Rregullores [nr.04/2025], (I) kohëzgjatja e mandatit të Koordinatorit Kombëtar nuk ka qenë e përcaktuar me rregullore; dhe (II) as nuk ka qenë e përcaktuar që personi i përzgjedhur ka mandat të përhershëm si Koordinator Kombëtar. I njëjti ka raportuar në KPK dhe për aq kohë sa ka qenë i caktuar në këtë pozitë, ka qenë përgjegjës ndaj KPK-së. Normalisht, mandati i tij i përhershëm ishte si prokuror dhe lidhur me të cilën pozitë ai gëzon mbrojtjen juridike, që ia përcakton Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi”, thuhet në aktgjykim.
Edhe
Supremja shfuqizon Rregulloren e re për Koordinatorin kombëtar për luftimin e krimit ekonomik
Në përfundim, Kushtetuesja konstatoi se Gjykata Supreme kishte bërë interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit, duke mos përmbushur standardet e një gjykimi të drejtë.
Për këtë arsye, ajo konstatoi shkelje të së drejtës për proces të rregullt gjyqësor dhe cenim të pavarësisë së Këshillit Prokurorial të Kosovës.