Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Prioriteti kombëtar imediat

Dhjetë ditët e radhës do të jenë vendimtare, jo vetëm për shmangien e zgjedhjeve, por për hapin e parë dhe të vendosur për një bashkëpunim ndërpartiak për gjërat që do të duheshin të ishin prioritete kombëtare për të gjithë, pa marrë parasysh ngjyrat

Që nga 2011-a kur Kushtetuesja vendosi për çështjen e kuorumit për zgjedhjen e kryetarit/kryetares së shtetit nuk është se mund t’u gjej logjikë aktgjykimeve që i nxjerr ky trup.

Prej atëherë, ajo që është duke ndodhur me të është se në secilin aktgjykim gjejmë një normë të re të shkruar dhe përligjur nga gjykatësit e Kushtetueses, duke e bërë edhe më shoshë, nëse ka mbetur ende hapësirë, aktin më të lartë juridik.

Para dy ditësh, doli aktgjykimi i ri, i cili thotë se Kuvendi u konstituua, ani që e shkeli afatin e caktuar po nga kjo gjykatë vitin e shkuar, dhe se njësoj, mbetet i konstituuar ani që nuk u zgjodh përfaqësuesi i PDK-së në kryesi. Për ta bërë edhe më lëmsh, konstatoi se afati për zgjedhjen e kryetarit/kryetares së shtetit nisi të rrjedhë me certifikimin e rezultateve, në të kundërtën e asaj që kishte thënë në pranverë, se ky afat nis ditën e konstituimit të Kuvendit.

Sa më shumë ndërhyrje që t’i bëhen tekstit bazë, aq më i nevojshëm bëhet hartimi i një Kushtetute të re që mbase do të ketë më pak zbrazëtira juridike sesa kjo. Por së cilës, do t’i ruhen “travaux preparatoires” (pra punimet përgatitore apo të gjitha dokumentet, procesverbalet, debatet dhe materialet zyrtare që krijohen gjatë procesit të hartimit të Kushtetutës, para miratimit të saj formal), e që të kuptohet fryma e vërtetë e Kushtetutës.

Mirëpo, telashe është kjo punë. Neve kurrë asnjë send nuk na bie tamam. Me gjasë nuk dimë më mirë.

* * *

Sidoqoftë, Kushtetuesja tha se Kuvendi duhet ta zgjedhë kryetarin/kryetaren e ri/e re më së voni më 6 tetor. Dështimi për ta bërë këtë nënkupton se shkojmë në zgjedhje të reja nga java e tretë e nëntorit.

Pas daljes së aktgjykimit (ende jo të plotë, pa argumentimin përkatës) të gjitha partitë politike shpallën “fitore”. Të gjithë patën të drejtë. Dhe askush nuk e konsideron veten përgjegjës se përse qe dy vjet krejt vëmendjen e kemi të kthyer nga Kuvendi, Qeveria, kryetari... u zgjodhën, s’u zgjodhën, u bllokuan, u barrikaduan, u shtynë me inat, kush o’ ma i forti, kush më dinaku...  Për besë, do të ishte qesharake po të mos ishte tragjike.

E në mesin e të gjithë fituesve, duket se humbësja më e madhe është PDK-ja.

Vjet, gjatë krizës së parë, pozicionimi i partisë qe qëndrimi në opozitë. Atëherë dihej se pa LDK-në, VV-ja nuk mund ta krijonte qeverinë vetë. Dhe ashtu ndodhi. Qeveria nuk u formua, Kuvendi u shpërnda dhe shkuam në zgjedhje të reja.

Erdhën zgjedhjet e dhjetorit, PDK-ja i humbi dy deputetë, por ende e kishte fuqinë që të bllokonte. Sidomos kur erdhi puna për zgjedhjen e kryetarit të shtetit. Në ndihmë bllokimi i erdhi LDK-ja – kategorike që të mos përfshihet në zgjedhjen e të parit të shtetit. Edhe ajo i kishte kalkulimet e veta.

Moszgjedhja e kryetarit çonte në zgjedhje në qershor, ndërkohë që ishte planifikuar që aktgjykimi në Hagë të shpallej nga mesi i majit 2026. Me shpresën se ai do të ishte lirues, lista dhe disponimi brenda PDK-së do të ishte tjetër. Por, trupi gjykues e shtyu shpalljen deri më 20 korrik. Kjo i prishi punë partisë e cila e përsëriti rezultatin e herës së shkuar, por ende me fuqi të mjaftueshme për ta bllokuar zgjedhjen e kryetarit të shtetit, dhe detyrimisht shkuarjen në zgjedhje të reja, me shpresën se aktgjykimi do të ishte lirues.

Aktgjykimi i shtyrë për shtator dhe dënues çfarë doli, më së fuqishmi e goditi PDK-në.

Dhe PDK-ja nisi ta ndryshonte qasjen. Fillimisht ofroi që të tërhiqte lëndët nga Kushtetuesja, me kusht që VV-ja ta përkrahte projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit të Speciales. Tash, pasi doli aktgjykimi, PDK-ja insiston se “prioritet kombëtar urgjent” është votimi i tij duke ia nisur Qeverisë për miratim.

* * *

Pas dy vjetësh bllokada, del se ka një prioritet tjetër me të cilin duhet marrë urgjentisht. Po t’i kishim pasur mendtë e tashmes dje, ndryshe do t’u qaseshim shumë problemeve me të cilat ballafaqohemi ditë për ditë.

Prioritet kombëtar imediat është t’i kemi krejt institucionet në vend; të përfundojë më sharada e bllokimeve e bojkotimeve; të na vijë era shtet - ashtu që të nisë marrja me seriozitet e pa improvizime me çështjet që kanë të bëjnë me mirëqenien e përgjithshme të popullit të Kosovës.

Pasojat e inateve dhe kalkulimeve politike është duke i pësuar e gjithë Kosova. Do të duhej të ishim të alarmuar me atë që kemi aktualisht. Pas debaklit (të sërishëm) në PISA, javën e shkuar u publikua një shënim që duhet të na brengosë shumë: sipas Eurostatit, numri i kosovarëve që kanë marrë leje qëndrimi në Evropë më 2025 është barazi më 43 mijë. Kjo shifër nuk përkon me atë që e paraqet ASK-ja (rreth 30 mijë).

Eh tash, nëse në periudhën 2021-2025 diskrepanca është këtillë dhe lineare, del se Kosovën, në këtë periudhë, e kanë braktisur jo 180 mijë njerëz sa thotë Agjencia e Statistikave të Kosovës, por diku rreth 235 mijë.

Në një popullatë të tkurrur sikurse kjo jona edhe për shkak shkallës së ulët të lindshmërisë, ikja e një numri kaq të konsiderueshëm njerëzish është shumë, shumë alarmante.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, dhe pavarësisht lavdërimit të pafund dhe fort irritues për “rritjen më të madhe ekonomike në rajon”, Kosova vazhdon të jetë shtet i varfër që varet thuajse ekskluzivisht nga importi. Rritja artificiale e të ardhurave personale për motive zgjedhore nuk përcillet me stabilitet ekonomik e financiar në shtet. Përcillet me shumë e më shumë familje që nuk mund t’i lidhin fijet për shkak të inflacionit që nuk ndalet dhe humbjes së vlerës reale të parasë.

Për kapak, për shkak se shkuam prapë në zgjedhje më 7 qershor, kurse certifikimi i rezultateve ndodhi vetëm më 8 korrik, Kosova i humbi 40 milionë nga “Plani i Rritjes” sepse nuk e mbërriti afatin: 30 qershor. Prej këtij plani kanë mbetur edhe nja 130 milionë në dispozicion që lidhen për zbatimin e shumë reformave dhe për miratimin e nja dhjetë projektligjeve më së voni më 31 dhjetor 2026. Me hapin me të cilin po shkojmë, edhe një pjesë e madhe e këtyre milionave mund të na ikin duarsh. Veç pse askush këtë punë nuk e sheh si prioritet kombëtar.

* * *

Përderisa protestat kundër aktgjykimit po vazhdojnë në qytet, me idenë për të ushtruar presion ndaj institucioneve për të ndërmarrë diçka në lidhje me aktgjykimin ndaj të katërve, atë që po e shohim është një hallakamë dhe një sillje në rreth, pa e pasur të qartë shtegun nga do të shkohet.

Sado që protestës organizatorët ia heqin atributin politik, megjithatë vetë fakti se protesta mbahet para objektit të Qeverisë e kjo fishkëllehet sa herë përmendet ligji, tregon pikërisht atë që nuk do të duhej në këtë çast: një përçarje mes shqiptarësh që zvarritet prej kohësh, e nuk po mund të tejkalohet, sepse deri tash nuk ka pasur vullnet.

Por, mbase diçka edhe do të ndryshojë.

Paralajmërimi u dëgjua dje nga kryetari i PDK-së: “...Jemi në rrethana të reja, i përshtatim qëndrimet tona...”, kur u pyet për çështjen e kryetarit të shtetit. E kjo është çështje urgjente: duhet të identifikohet një person, që mund ta marrë barrën e të punojë për Kosovën, ndërkohë që partitë opozitare të pajtohen që të jenë të pranishëm në seancë, nëse duhet edhe të votojnë kundër, fundja vota është individuale. Por që më në fund ky vend ta tejkalojë këtë krizë krejtësisht të panevojshme. Sepse ajo që më së paku i vyen Kosovës tash, e PDK-së në veçanti, janë zgjedhjet e reja.

Dhjetë ditët e radhës do të jenë vendimtare, jo vetëm për shmangien e zgjedhjeve, por për hapin e parë dhe të vendosur për një bashkëpunim ndërpartiak për gjërat që do të duheshin të ishin prioritete kombëtare për të gjithë, pa marrë parasysh ngjyrat.

[email protected]