Sipas një studimi të ri moslarja e dhëmbëve para se të shkoni në shtrat rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.
Studiuesit zbuluan se lënia pas dorës e larjes së dhëmbëve para se të flini nënkupton një shans më të lartë për të zhvilluar komplikime si angina e sulmi në zemër.
Pjesë e këtij studimi ishin 1,675 pacientë të moshës 20 vjeç e lart, të cilët vizituan Spitalin Universitar Osaka në Japoni për ekzaminim, kirurgji ose trajtim.
Ata u ndanë në katër grupe bazuar në zakonet e tyre të higjienës orale.
Këtu përfshiheshin: njerëzit që lanin dhëmbët dy herë në ditë (një herë pas zgjimit dhe një herë para gjumit), ata që i lanin dhëmbët vetëm në mëngjes, njerëzit që i lanin dhëmbët vetëm në mbrëmje dhe pacientët që nuk praktikonin fare higjienën orale.
Gjithashtu në studim u vlerësuan edhe mosha, gjinia, historia e pirjes së duhanit, të dhënat dentare dhe mjekësore.
Ekipi studioi hospitalizimet si pasojë e dështimit të zemrës, aritmisë, infarktit, anginës, dhe sëmundjet valvulare e ato të aortës, të cilat kërkonin ndërhyrje kirurgjike.
Ata zbuluan se ata që lanin dhëmbët vetëm në mëngjes e që nuk pinin duhan dhe ata që nuk praktikonani higjienën orale treguan prognozë më të keqe kur u shtruan në spital me një problem shëndetësor kardiovaskular.
Edhe
Fjetja pa i pastruar dhëmbët rrezikon shëndetin
Nga ana tjetër, njerëzit që i lanin dhëmbët dy herë në ditë dhe ata që i lanin vetëm natën kishin norma më të larta mbijetese. Duhanpirësit në përgjithësi kishin rezultate të këqija.
Autorët e studimit, të botuar në revistën Scientific Reports, thanë se zbulimet tregojnë qartë se larja e dhëmbëve vetëm në mëngjes pas zgjimit është e papërshtatshme dhe se larja e dhëmbëve para gjumit është e mirë për të ruajtur shëndetin.
“Megjithëse gjetjet tona janë të kufizuara në sëmundjet kardiovaskulare dhe nuk mund të zbatohen për individët e shëndetshëm, ato tregojnë se larja e dhëmbëve gjatë natës është e rëndësishme”, tha njëri nga autorët, raporton The Sun.
Aty gjithashtu thuhet se për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare dhëmbët duhet të lahen para ngrënies së mëngjesit por më e rëndësishme është të lahen para gjumit.
Studiuesit mendojnë se nëse bakteret rrinë në gojë ato shkaktojnë inflamacion nëpër trup gjë që mund të çojë në probleme serioze shëndetësore, si sëmundjet kardiovaskulare. (Përgatiti Vita Abrashi-Kajtazi)