Lifestyle

Më shumë të rinj po preken nga kanceri, por pse?

Kanceri

Kanceri i gjirit, ai i mitrës, i veshkave dhe ai i zorrës së trashë kanë filluar të diagnostikohet më shpesh te të rinjtë amerikanë nën 50 vjeç gjatë dekadës së fundit.

Numri i të rinjve me kancer në SHBA po rritet dhe ekspertët nuk e dinë ende saktësisht pse, ka raportuar The Independent.

Dhjetëra forma të sëmundjes kanë shënuar rritje tek amerikanët nën 50 vjeç gjatë 10 vjetëve të fundit, me rritje më të madhe të rasteve me kancer të gjirit te gratë dhe kancer të zorrës së trashë, sipas mjekëve.

Onkologët kanë zbuluar se kjo rritje prek kryesisht gratë, me 82 për qind më shumë diagnoza të reja sesa te burrat, sipas një raporti të American Cancer Society nga muaji janar i këtij viti.

Këto trende shqetësuese ndodhin ani pse numri i përgjithshëm i vdekjeve nga kanceri ka rënë ndjeshëm, duke u ulur për 34 për qind midis 1991 dhe 2022.

“Ky është problem serioz dhe shqetësues”, ka thënë Shari Goldfarb, onkologe në Memorial Sloan Kettering Cancer Center në New York.

Hulumtimet e National Institutes of Health tregojnë se kanceri i gjirit, i mitrës, i veshkave dhe ai i zorrës së trashë janë diagnostikuar më shpesh te të rinjtë gjatë dekadës së fundit.

Një studim tjetër në SHBA ka gjetur 50 për qind rritje të rasteve të kancerit të zorrës së trashë te të rinjtë midis 2021 dhe 2022, pas uljes së moshës së rekomanduar për screening nga 50 në 45 vjeç.

Zgjerimi i kontrolleve dhe detektimi më i mirë mund të ofrojnë disa shpjegime për rastet e hershme të kancerit (te të rinjtë nën 50 vjeç), por mjekët thonë se duhen edhe shpjegime të tjera.

Disa onkologë thonë se gjenetika nuk është shkaku kryesor.

“Gjenomi ynë thjesht nuk ndryshon kaq shpejt gjatë disa dekadave”, ka thënë doktoresha Ulrike Peters nga Fred Hutch Cancer Center në Seattle për National Cancer Institute.

Ka gjithashtu tregues se kanceri i zorrës së trashë mund të sillet ndryshe te të rinjtë, vuri në dukje doktori Rihab Yassin. 

Ai mund të ketë karakteristika fizike të tumorëve agresivë, dhe numri i vdekjeve nga ky kancer është rritur.

Vitin e kaluar pati rreth 152,810 raste të reja dhe 53,010 vdekje, krahasuar me 52,550 vdekje në vitin 2023, sipas Colorectal Cancer Alliance. Këtë vit, American Cancer Society parashikon mbi 154,000 raste të reja.

Dhjetëra studime të mëparshme lidhin rritjen e rasteve me kancer te të rinjtë me mbipeshën, konsumimin e alkoolit dhe ndotjen nga mikroplastikat. Të gjithë këta faktorë mund të ndikojnë te bakteret e zorrëve dhe të shkaktojnë inflamacion të dëmshëm. Shëndeti i dobët i zorrëve dhe inflamacioni janë të lidhur me kancerin.

“Dëshmitë që lidhin mbipeshën, konsumimin e alkoolit dhe dietën e keqe me kancerin e hershëm janë mjaft të forta”, ka thënë Yin Cao, profesoreshë e asociuar e kirurgjisë në Washington University në St. Louis për The New York Times.

Gratë po pinë më shumë alkool sesa 20 vjet më parë, dhe po rriten nivelet e obezitetit dhe ekspozimit ndaj mikroplastikave. Rreth 40 për qind e amerikanëve konsiderohen obezë, ndërsa mikroplastikat gjenden kudo, në ajër, ujë dhe organe njerëzore.

Doktoresha Y. Nancy You, specialiste e kancerit të zorrës së trashë kolorektal në MD Anderson Cancer Center, ka thënë për National Cancer Institute se beson që shkaku është një “paketë e tërë faktorësh të zakonshëm”.
“Nuk besoj se do të ketë një ‘armë’ të vetme. Por kjo është pyetja milionëshe që të gjithë po e bëjnë. Por përgjigjja është afatgjatë”, ka thënë ajo.