Lifestyle

Rritet numri i rasteve të kancerit të lidhura me obezitet te të rinjtë

Kanceri

Kanceri

Diagnostikimet me kancer të gjëndrës tiroide, gjirit, zorrës së trashë, veshkave dhe endometrial (kanceri i mitrës) po shtohen me shpejtësi në mbarë botën, me atë të zorrës së trashë që po rritet më shpejt te personat nën 50 vjeç.

Një studim i ri global, i publikuar në revistën “Annals of Internal Medicine”, ka zbuluar se rastet e kancerit po shtohen ndjeshëm te grupmoshat e reja në shumë vende të botës, dhe një pjesë e madhe e kësaj rritjeje lidhet me obezitetin, ka shkruar EuroNews.

Rritja nuk kufizohet vetëm te të rinjtë nën 50 vjeç pasi edhe gjeneratat më të vjetra po përballen me të njëjtin trend në rritje. Studiuesit analizuan të dhënat e kancerit në 42 vende për pesë kontinente, për periudhën 2003–2017, duke u fokusuar në 13 lloje kanceri që më herët ishin raportuar se po shtoheshin te të rriturit e rinj.

Rezultatet konfirmuan se disa lloje kanceri po bëhen më të zakonshme te moshat 20 deri në 49 vjeç, përfshirë kancerin e tiroides, gjirit, zorrës së trashë, veshkave, mitrës dhe leukeminë, të gjitha me norma në rritje në mbi tre të katërtat e vendeve të studiuara.

Kanceri i tiroides shënoi rritjen më të madhe, me një mesatare prej 3.57 për qind në vit, i ndjekur nga ai i veshkave (2.21 për qind) dhe i mitrës (1.66 për qind). Ndërkohë, kanceri i zorrës së trashë, një nga më të përfolurit për rritje në moshat e reja, u shtua me 1.45 për qind në vit te të rriturit nën 50 vjeç.

Në afro 70 për qind të vendeve, numri i rasteve të reja u rrit më shpejt tek të rinjtë sesa tek të moshuarit. Sipas studiuesve, ky trend i përbashkët në disa lloje kanceri “tregon se mund të ekzistojnë faktorë të përbashkët nën sipërfaqe”, si rritja e obezitetit, ndryshimet në ushqyerje dhe përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se fokusi në parandalim nuk duhet të kufizohet vetëm tek të rinjtë. Edhe pse rastet në rritje tek moshat nën 50 vjeç janë shqetësuese, numri total i rasteve mbetet shumë më i lartë tek grupmoshat e vjetra.

Autorët e studimit kanë theksuar se gjetjet “mund të ndihmojnë në përcaktimin e prioriteteve të ardhshme të kërkimit dhe trajtimit klinik, përfshirë nevojën për strategji të veçanta trajtimi dhe mbështetje për pacientët e rinj me kancer”.

A po rriten vërtet kanceret e hershme?

Një tjetër studim, i publikuar muajin e kaluar në JAMA Internal Medicine, sugjeron se rritja e dukshme e kancereve të hershme mund të mos jetë gjithmonë reale, por rezultat i “mbidiagnostikimit”, pra, zbulimit të rasteve që nuk do të shkaktonin ndonjë sëmundje serioze.

Ky hulumtim ka analizuar tetë lloje kanceri me rritjen më të shpejtë te të rriturit nën 50 vjeç, përfshirë tiroiden, anusin, veshkat, zorrën e hollë, zorrën e trashë, mitrën, pankreasin dhe mielomën (kancerin e palcës së eshtrave).

Rezultatet treguan se ndërsa diagnozat pothuajse janë dyfishuar që nga viti 1992, normat e vdekshmërisë kanë mbetur pothuajse të pandryshuara. Kjo nënkupton se rritja në numrin e rasteve të raportuara “reflekton kryesisht rritjen e zbulimit, dhe jo domosdoshmërisht shpërthim real të sëmundjes”.

Autorët paralajmërojnë se paraqitja e kancerit të hershëm si “epidemi” mund ta ekzagjerojë problemin dhe të sjellë pasoja të padëshiruara, si diagnostikime të panevojshme që shkaktojnë ngarkesë emocionale, fizike dhe financiare për pacientët e rinj, të cilët ndonjëherë trajtohen në mënyrë të panevojshme për gjendje që nuk do të dëmtonin shëndetin e tyre.