Lifestyle

Rriten rastet e kancerit te personat më të rinj se 50 vjeç, studimi tregon llojet më të përhapura

Kanceri

Kanceri (foto-ilustrim)

Foto: Associated Press

Kanceri në moshë të re është i rrallë, por në rritje në Shtetet e Bashkuara dhe shkencëtarët po përpiqen ta kuptojnë pse, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.

Një studim i ri nga Instituti Kombëtar i Kancerit në SHBA ka përfshirë të dhëna për mbi 2 milionë raste të diagnostikuara te persona nga 15 deri në 49 vjeç mes viteve 2010 dhe 2019.

Studimi ka treguar rritje të ndjeshme të rasteve te kanceri i gjirit, zorrës së trashë (kolorektal), veshkave dhe mitrës. Sipas të dhënave, 63% e këtyre rasteve preknin gratë.

“Ky lloj modeli zakonisht tregon se po ndodh diçka e thellë. Ne duhet të financojmë kërkime që do na ndihmojnë ta kuptojmë këtë”, ka thënë Tim Rebbeck nga Dana-Farber Cancer Institute, i cili nuk ishte pjesë e studimit.

Sa raste shtesë janë shfaqur?

Studiuesit krahasuan normat e vitit 2019 me ato të vitit 2010. Rezultatet treguan:

+4,800 raste të kancerit të gjirit

+2,000 raste të kancerit kolorektal

+1,800 raste të kancerit të veshkave

+1,200 raste të kancerit të mitrës

Megjithatë, normat e vdekshmërisë nuk janë rritur për shumicën e kancereve, përveç atyre kolorektale, të mitrës dhe testikujve.

Pse po ndodh kjo?

Shkaktarët ende nuk dihen plotësisht. Shumë ekspertë mendojnë se mbipesha është një nga faktorët kryesorë, pasi disa nga këto lloje kanceri lidhen me peshën e tepërt.

“Një nga hipotezat kryesore është rritja e normave të obezitetit”, ka thënë autorja kryesore Meredith Shiels nga Instituti Kombëtar i Kancerit.

Gjithashtu, ndryshimet në mënyrën e diagnostikimit dhe në udhëzimet e kontrollit mjekësor mund të ndikojnë, si edhe mosha e shtyrë për të pasur fëmijë, që lidhet me rrezikun për kancer gjiri.

Jo të gjitha llojet e kancerit janë në rritje

Lajmi i mirë është se për më shumë se njëzet llojesh kanceri, normat po bien, sidomos për kancerin e mushkërive dhe të prostatës. Kjo besohet se lidhet me uljen e duhanpirjes dhe ndryshimet në udhëzimet për testimin PSA (test i urinës përmes të cilit mund të zbulohet kanceri i prostatës).