Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Kanceri i zorrës së trashë shkaktari kryesor i vdekjeve nga kjo sëmundje tek nën 50-vjeçarët në SHBA

Kanceri

Kanceri i zorrës së trashë po bëhet gjithnjë e më shqetësues për të rinjtë në SHBA. 
Sipas një analize të re nga American Cancer Society, kanceri kolorektal apo i zorrës së trashë është tani shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri te personat nën 50 vjeç në SHBA.

Ekspertët paralajmërojnë që të rinjtë nuk duhet t'i injorojnë simptoma si gjaku në jashtëqitje apo ndryshimet në jashtëqitje, sepse diagnozat në këtë grupmoshë po rriten ndjeshëm, ka raportuar The Guardian.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Becca Lynch, e cila punon në Denver, u diagnostikua vitin e kaluar me kancer të avancuar të zorrës së trashë në moshën vetëm 29-vjeçare.

Fillimisht ajo nuk mendoi se simptomat mund të ishin serioze.

“E lidha me stresin”, ka thënë ajo.

Në fillim, Lynch kishte jashtëqitje shumë të holla dhe duhej të shkonte në tualet shumë më shpesh, deri në pesë ose gjashtë herë në ditë. Më vonë ajo filloi të shihte gjak të errët në çdo jashtëqitje.

Ajo vendosi të shkonte te mjeku pasi pa një video në Instagram nga Cass Costley, e cila fliste për simptoma të ngjashme që rezultuan të ishin kancer. Megjithatë, Lynch e shtyu kolonoskopinë për disa muaj dhe kur më në fund e bëri, u diagnostikua me kancer të zorrës së trashë në stadin 3B.

Shumë të rinj diagnostikohen vonë

Sipas epidemiologes Rebecca Siegel, kjo është një histori shumë e zakonshme.

“Rreth tre të katërtat e personave nën 50-vjeç diagnostikohen kur kanceri tashmë është në fazë të avancuar. Kjo ndodh sepse ata nuk kontrollohen rregullisht dhe nuk i marrin seriozisht simptomat, pasi mendojnë se janë shumë të rinj për këtë sëmundje”, ka thënë ajo.

Shumë njerëz mendojnë se gjaku në jashtëqitje vjen nga hemorroidet dhe e injorojnë problemin. Edhe Costley kishte menduar fillimisht të njëjtën gjë.

Siegel këshillon që kushdo që ka gjakderdhje rektale për më shumë se disa javë duhet të konsultohet menjëherë me mjekun.

Për ata që nuk kanë simptoma, ekzistojnë edhe teste të jashtëqitjes si Cologuard ose testi Fecal Immunochemical Test, të cilat mund të ndihmojnë në zbulimin e hershëm të sëmundjes pa bërë menjëherë kolonoskopi.

Pse po shtohen rastet me kancer te të rinjtë?

Ndërsa te personat mbi 65-vjeç rastet e kancerit të zorrës së trashë po bien me më shumë se 2 për qind çdo vit, te të rinjtë situata është e kundërt.

Që nga vitet 1990, kjo sëmundje ka kaluar nga shkaku i pestë në shkakun kryesor të vdekjeve nga kanceri te personat nën 50 vjeç.

Ekspertët ende nuk e dinë saktësisht pse po ndodh kjo rritje. Siegel e përshkruan fenomenin si një “efekt i brezave”, duke sugjeruar se njerëzit e lindur pas viteve 1950 janë ekspozuar ndaj faktorëve të rinj të rrezikut.

Disa studiues dyshojnë se ndryshimet në ushqim mund të luajnë rol, përfshirë konsumimin më të madh të ushqimeve të përpunuara, mishit të përpunuar dhe ushqimeve të paketuara në plastikë.

“Tani e dimë që mikroplastikat mund të kalojnë edhe barrierën gjak-tru, kështu që zorra e trashë padyshim ekspozohet ndaj tyre”, ka thënë Siegel.

Edhe studiuesi Prosanta Chakrabarty nga Baton Rouge u diagnostikua me kancer të avancuar të zorrës së trashë në vitin 2024, ani pse bënte kontrolle të rregullta dhe kishte stil jete të shëndetshëm.

Si Lynch ashtu edhe Chakrabarty flasin publikisht për sëmundjen për të inkurajuar njerëzit të mos kenë turp të flasin për simptomat.

Lynch, e cila tani është pa simptoma pas operacionit, ka thënë se dëshiron të ndihmojë të tjerët të mos injorojnë shenjat paralajmëruese.

“Kjo është një nga arsyet pse pranova të jap një intervistë për… jashtëqitjen time”, ka thënë ajo.