Lifestyle

Lëngu i portokallit mund të bëjë për trupin më shumë se ajo që mendonin shkencëtarët

Lëngu i portokallit

Lëngu i portokallit

Shumica e njerëzve e shohin lëngun e portokallit si një zakon të thjeshtë të mëngjesit. Por shkencëtarët po zbulojnë se kjo pije e zakonshme mund të bëjë shumë më tepër sesa të shuajë etjen.

Një studim i ri tregon se konsumimi i rregullt i lëngut të portokallit ndikon në aktivitetin e mijëra gjeneve në qelizat e sistemit imunitar. Shumë prej këtyre gjeneve lidhen me tensionin e gjakut, inflamacionin dhe mënyrën se si trupi përpunon sheqerin, të gjitha të rëndësishme për shëndetin e zemrës, ka raportuar Science Alert.

Në studim, të rriturit pinin nga 500 ml lëng portokalli të pastër çdo ditë për dy muaj. Pas 60 ditësh, shumë gjene që lidhen me inflamacionin dhe tensionin e lartë të gjakut u bënë më pak aktive.

Këto përfshinin edhe gjenet që aktivizohen kur trupi është nën stres. Edhe një gjen tjetër, SGK1, që ndikon në mënyrën se si veshkat mbajnë natriumin, u bë më pak aktiv.

Këto ndryshime përputhen me studime të mëparshme që tregojnë se një gotë lëng portokalli çdo ditë mund të ulë tenstionin e lartë të gjakut te të rinjtë.

Kjo është interesante sepse tregon se lëngu i portokallit nuk është thjesht “sheqer në gotë”. Ai duket se ndikon në procese të vogla brenda trupit që ulin inflamacionin dhe ndihmojnë relaksimin e enëve të gjakut.

Përbërësit natyralë në portokall, veçanërisht hesperidina, një flavonid me veti antioksiduese dhe antiinflamatore, ndikojnë në proceset që lidhen me tensionin e lartë të gjakut, yndyrën e dëmshme në gjak dhe përpunimin e sheqerit.

Efekti ndryshon edhe nga pesha trupore: njerëzit me mbipeshë shfaqën ndryshime më të mëdha në gjenet që lidhen me metabolizmin e yndyrave, ndërsa personat më të dobët patën efekte më të forta tek gjenet e inflamacionit.

Një analizë e 15 studimeve me 639 persona gjeti se konsumimi i rregullt i lëngut të portokallit ul rezistencën ndaj insulinës dhe nivelin e yndyrës së dëmshme në gjak. Rezistenca ndaj insulinës është një shenjë e para-diabetit, ndërsa niveli i lartë i yndyrës së dëmshme në gjak është faktor rreziku për sëmundjet e zemrës.

Një tjetër analizë e personave mbipeshë gjeti ulje të vogla të tensionit të gjakut dhe rritje të yndyrës së mirë në gjak (HDL) pas disa javësh konsum ditor.

Studime të tjera tregojnë se lëngu i portokallit ndikon edhe në metabolite, molekula të vogla që i prodhon trupi gjatë përpunimit të ushqimit, si dhe në mikrobiomën e zorrëve. Mikrobioma e shëndetshme lidhet me tension më të mirë të gjakut dhe më pak inflamacion.

Një studim tregoi se konsumimi i lëngut të grejpfrutit të kuq për një muaj rriti bakteret e mira që prodhojnë acide yndyrore me zinxhir të shkurtër, përbërës që ndihmojnë tensionin e gjakut dhe kontrollin e sheqerit.

Personat me sindromë metabolike (tension i lartë, sheqer i lartë dhe yndyrë e tepërt trupore) mund të përfitojnë edhe më shumë.

Në një studim me 68 persona obezë, konsumimi ditor i lëngut të portokallit përmirësoi funksionin e endotelit, shtresa e brendshme e enëve të gjakut. Sa më mirë të funksionojnë këto enë, aq më i ulët është rreziku për sulm në zemër.

Jo të gjitha studimet kanë të njëjtat rezultate, por shumica tregojnë ulje të yndyrës së dëmshme (LDL). Edhe kur ndryshimet në trigliceride apo HDL janë të vogla, njerëzit që pinë rregullisht lëng portokalli shfaqin disa përfitime.

Në një studim me 129 punëtorë në një fabrikë të lëngut të portokallit në Brazil, u gjetën nivele më të ulëta të apo-B, një marker i lidhur me rrezikun e sulmit në zemër.

Në tërësi, provat tregojnë se lëngu i portokallit nuk është thjesht sheqer. Fruti i plotë mbetet zgjedhja më e mirë për shkak të fibrave, por një gotë e pastër me lëng portokalli çdo ditë, me kalimin e kohës, mund të ndihmojë në:

-uljen e inflamacionit

-përmirësimin e qarkullimit të gjakut

-përmirësimin e shëndetit të zemrës