Një analizë e re e publikuar në Trends in Endocrinology and Metabolism ka treguar se ora e ditës kur njerëzit bëjnë aktivitet fizik mund të ndikojë ndjeshëm në mënyrën si trupi reagon ndaj ushtrimeve.
Studiuesit kanë analizuar disa studime të mëparshme që krahasojnë ushtrimet në mëngjes me ato më vonë gjatë ditës, si te personat e shëndetshëm, ashtu edhe tek ata me diabeti i tipit 2, një sëmundje shumë e përhapur ku trupi nuk reagon mirë ndaj insulinës dhe niveli i sheqerit në gjak mbetet i lartë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRezultatet tregojnë se qelizat, hormonet dhe gjenet reagojnë ndryshe, në varësi të kohës kur kryhen ushtrimet, ka shkruar The Washington Post.
Efekti ishte i dukshëm sidomos te personat me diabet të tipit 2.
Për ta, ushtrimet në pasdite ose mbrëmje çonin në përmirësime të dukshme dhe afatgjata në kontrollin e sheqerit në gjak.
Ndërsa i njëjti aktivitet fizik në mëngjes shpesh rezultonte në rritje të sheqerit në gjak dhe përkeqësim të reagimit ndaj insulinës.
“Ka gjithnjë e më shumë prova që sugjerojnë se ushtrimet më vonë gjatë ditës mund të sjellin përfitime shtesë për shëndetin”, ka thënë studiuesja Trine Moholdt.
Pse ndodh kjo?
Një nga arsyet lidhet me ritmin biologjik të trupit të njeriut (ritmin cirkadian), që funksionon në një cikël 24-orësh dhe ndikon në gjumin, energjinë, hormonet dhe metabolizmin.
Ushtrimet fizike mund të ndikojnë në këtë ritëm, duke vepruar si “sinjal kohor” për trupin.
Por te personat me diabet të tipit 2, ky ritëm shpesh është i çrregulluar, gjë që ndikon negativisht në mënyrën se si trupi përpunon sheqerin.
Një tjetër faktor është i ashtuquajturi “fenomeni i agimit”.
“Ky fenomen bën që niveli i sheqerit në gjak të jetë më i lartë në mëngjes”, ka thënë studiuesja Harriet Wallberg-Henriksson.
Kjo ndodh sepse hormoni i stresit, kortizoli, rritet në orët e para të ditës, duke nxitur çlirimin e sheqerit nga mëlçia.
Te personat e shëndetshëm, insulina e balancon këtë proces. Por tek ata me diabet, kjo nuk ndodh si duhet, ndaj sheqeri mbetet i lartë.
Nëse shtohet edhe ushtrimi intensiv në mëngjes, niveli i sheqerit mund të rritet edhe më shumë.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se çdo aktivitet fizik është i dobishëm.
“Mesazhi më i rëndësishëm mbetet se ushtrimi në çdo kohë është më i mirë sesa të mos ushtrohesh fare”, ka thënë ekspertja Juleen Zierath.
Për ata që preferojnë mëngjesin, këshillohet aktivitet më i lehtë, si ecja e shpejtë, që nuk ka të njëjtin efekt negativ si ushtrimet intensive.
Shkencëtarët theksojnë se ende ka shumë pyetje pa përgjigje, pasi shumica e studimeve janë bërë te burrat dhe për periudha të shkurtra.
Megjithatë, sipas ekspertëve, për personat me diabet të tipit 2, përfundimi është i qartë, për ata që kanë mundësi të zgjedhin se kur duhet ti bëjnë ushtrimet, rekomandohet mbrëmja.
Për të gjithë të tjerët, mesazhi mbetet i thjeshtë.
“Nga ushtrimet përfiton pothuajse çdo sistem i trupit. Ani pse koha mund të ndikojë për disa njerëz, për shumicën, koha më e mirë për të ushtruar është ajo që ju përshtatet në përditshmëri”, ka thënë Moholdt.