Një studim i ri ka zbuluar se personat që vuajnë nga dhimbjet në nyja, ije ose shpinë dhe që ushtrojnë dy orë në javë, ndiejnë më pak dhimbje, vizitojnë më rrallë mjekun e familjes dhe mungojnë më pak në punë.
Studimi, i kryer me mbi 40 mijë persona në Britani, ka analizuar efektet e dy orëve ushtrime në javë, për 12 javë me radhë, për personat me dhimbje në shpinë, ije ose gjunjë.
Rezultatet kanë treguar përmirësim të dukshëm në cilësinë e jetës dhe u shoqëruan me thirrje që Shërbimi Shëndetësor Britanik (NHS) të përfshijë aktivitetin fizik si pjesë të trajtimit standard për ata që vuajnë nga sëmundjet muskulore e skeletore, ka raportuar The Guardian.
Sipas studiuesve, nëse 3.7 milionë britanikë me dhimbje në nyja, por pa plan trajtimi, do të ushtronin nga dy orë në javë, përfitimet për familjet, ekonominë dhe sistemin shëndetësor do të arrinin deri në rreth 39 miliardë euro.
Studimi u zhvillua nga Nuffield Health, Frontier Economics dhe Universiteti Metropolitan i Manchesterit, përmes një programi falas të ushtrimeve në 110 palestra të Nuffieldit, ku pjesëmarrësit bënin dy orë ushtrime javore të drejtuara nga specialistë të rehabilitimit.
Rezultatet treguan përfitime të mëdha:
-Dhimbjet u ulën mesatarisht me 35 për qind.
-Vizitat te mjeku ranë me 29 për qind.
-Ditët e mungesës në punë pothuajse u përgjysmuan.
-Nevoja për ndihmën e familjarëve u ul me 21 për qind.
“Ushtrimet e përshtatura sipas nevojës janë një nga trajtimet më efektive për sëmundjet kronike. Po të ishte lëvizja ilaç, do të ishte më i fuqishmi në planet, por fatkeqësisht ende përshkruhet shumë pak. Integrimi i saj në sistemin shëndetësor do të ndryshonte jetën e miliona njerëzve në një mënyrë që asnjë ilaç nuk mund ta bëjë”, ka thënë drejtoresha e Nuffield Health, doktoresha Davina Deniszczyc.
Analiza ka treguar se vetëm në rajonin e Greater Manchester, nëse 184 mijë nga 334 mijë pacientët me sëmundje muskulore e skeletore do të përfitonin nga ky program, përfitimet do të kapnin vlerën e rreth 2 miliardë euro. Shtrirja e programit në nivel kombëtar do të sillte 39 miliardë euro përfitime, prej të cilave:
Rreth 20 miliardë nga përmirësimi i shëndetit,
Reeth 14 miliardë përfitime për familjarët,
Rreth miliardë për ekonominë,
Rreth 264 milionë kursime të drejtpërdrejta për Shërbimin Shëndetësor Britanik (NHS).
Nick Woolley nga Frontier Economics ka thënë se në fillim të programit një në katër pjesëmarrës nuk mund të punonte, ndërsa pas 12 javësh pothuajse një në dhjetë prej tyre ishte rikthyer në punë.
Ndërsa profesori Tim Cable, drejtor i Institutit të Sportit në MMU, ka shtuar se rezultatet “tregojnë fuqinë transformuese të lëvizjes” për 25 milionë britanikët që jetojnë me sëmundje afatgjata dhe se ky program mund të shërbejë “si model për një program kombëtar të ushtrimeve nën kujdesin e NHS”.
Megjithatë, Deborah Alsina, drejtoreshë e organizatës bamirëse Versus Arthritis, ka thënë se ani pse ushtrimet ndihmojnë, ato nuk janë zgjidhje e plotë.
“Ushtrimet përmirësojnë cilësinë e jetës për personat me artrit, por nuk janë gjithmonë të mjaftueshme. Shumë njerëz hasin vështirësi për t’i përshtatur ato me jetën e përditshme dhe përballen me vonesa në diagnostikim, mungesë trajtimesh dhe mbështetje të kufizuar nga NHS”, ka thënë Alsina.
Një program i ngjashëm gjashtëjavor, i quajtur Escape Pain, që përfshin edukim, ushtrime dhe vetëmenaxhim, tashmë është përdorur nga 15 mijë pacientë në Britani dhe ka treguar rezultate pozitive si për pacientët, ashtu edhe për kursimet e NHS.
“E dimë se dhimbjet kronike ndikojnë shumë në cilësinë e jetës. Synimi ynë është që përmes planit 10-vjeçar të shëndetit ta transformojmë NHS-në nga një sistem që trajton sëmundjen, në një sistem që parandalon atë. Do të përdorim edhe teknologjinë për të ndihmuar njerëzit të qëndrojnë aktivë, përfshirë pajisjet e që vishen për pacientët me dhimbje kronike, sidomos në zonat më të varfra”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë dhe Kujdesit Social.