Lifestyle

Dietat me më pak karbohidrate ndihmojnë zemrën

ushqimi

Dietat me pak karbohidrate ose me pak yndyrë mund të ndihmojnë shëndetin e zemrës dhe metabolizmin, megjithatë çelësi nuk është vetëm sasia e yndyrës apo karbohidrateve që merrni, por cilësia e ushqimit.

Një studim i publikuar më 11 shkurt në Journal of the American College of Cardiology ka treguar se versionet e shëndetshme të dietave që kanë vetëm pak karbohidrate që njihen si “low carb” dhe ato me më pak yndyrë që njihen si “low fat”, që theksojnë ushqimet me bazë bimore, drithërat e plota dhe yndyrat e pangopura, lidhen me rrezik më të ulët për sëmundje koronare të zemrës, ka raportuar HealthLine.

Ndërsa versionet jo të shëndetshme, të pasura me karbohidrate të rafinuara, yndyra shtazore dhe proteina nga mishi i përpunuar, u shoqëruan me rrezik më të lartë.

“Nuk bëhet fjalë thjesht për të ulur konsumimin e karbohidrateve apo yndyrës, por për cilësinë e ushqimeve që njerëzit zgjedhin. Nëse fokusohemi vetëm te përbërja ushqyese dhe jo te cilësia e ushqimit, mund të mos përfitojmë asnjë benefit shëndetësor”, ka thënë Zhiyuan Wu, studiues në Harvard.

Çfarë tregoi studimi?

Studiuesit analizuan të dhënat e afro 200 mijë personave gjatë më shumë se 30 vjetëve. Gjatë kësaj kohe u regjistruan mbi 20 mijë raste me sëmundje koronare të zemrës.

Personat që ndiqnin një dietë cilësore, me drithëra të plota, yndyra të pangopura (si vaji i ullirit, arrat) dhe ushqime bimore, kishin më pak inflamacion në trup, nivel më të ulët të triglicerideve dhe nivel më të lartë të yndyrës së mirë.

“Nuk është surprizë, por është përfundimi që kemi pritur prej vitesh. Debati ‘low carb’ kundër ‘low fat’ ka qenë i paqartë. Ky studim tregon se cilësia, jo vetëm sasia, është faktori që mungonte. Burimi i ushqimit ka shumë më tepër rëndësi sesa etiketa e dietës”, ka thënë kardiologia Oana Penciu, që nuk ishte pjesë e studimit.

Pse është e rëndësishme?

Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në SHBA.

Çdo 34 sekonda, një person humb jetën nga sëmundjet kardiovaskulare.

Vetëm në vitin 2022, sëmundjet koronare shkaktuan mbi 371 mijë vdekje.

“Ushqimi ndikon drejtpërdrejt në tensionin e gjakut, kolesterolin dhe peshën trupore. Cilësia e dietës ndikon edhe në nivelin e inflamacionit në trup”, ka theksuar kardiologu Cheng-Han Chen

Cila dietë është më e mirë?

Ekspertët thonë se të dyja mund të jenë të dobishme, nëse zbatohen si duhet.

Për persona me nivel të lartë të yndyrës së dëmshme ne gjak, një dietë me pak yndyrë cilësore mund të jetë e përshtatshme.

Për ata që synojnë humbje peshe, ulja e konsumimit të karbohidrateve shpesh ndihmon.

“Rekomandimet duhet të përshtaten për secilin individ. Ndryshimet e vogla dhe graduale janë më të lehta për t’u mbajtur në afatgjatë”, ka theksuar kirurgu Mir Ali.

Mesazhi kryesor sipas Penciu është që njerëzit të mos stresohen me llogaritje por të konsumojnë ushqime të plota.

“Mos u stresoni me llogaritë. Hani ushqim të vërtetë. Ndërtoni pjatën me perime, proteina të pastra si peshk, pulë, vezë ose bishtajore, drithëra të plota dhe pak yndyrë të shëndetshme si vaj ulliri apo arra. Përqendrohuni te cilësia dhe qëndrueshmëria, jo te perfeksioni”, ka thënë Penciu.