Lifestyle

Dieta që ul rrezikun nga sëmundjet e zemrës

ushqimet e shendetshme

Ushqimet e shëndetshme

Sëmundjet kardiovaskulare po mbahen përgjegjëse për 17.9 milionë vdekje në botë në vitin 2023.
Dieta luan rol të rëndësishëm kur bëhet fjalë për shëndetin në përgjithësi, e po ashtu edhe për shëndetin e zemrës.

Një studim që është bërë së fundmi në Harvard ka analizuar lidhjen ndërmjet dietave dhe sëmundjes së zemrës dhe ka gjetur se dietat me ushqim të shëndetshëm e sa më pak të përpunuar ndihmojnë zemrën, ka raportuat “Times of India”.

Sipas këtij studimi, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e zemrës, llojet e ushqimit janë më me rëndësi se sa mbajtja e një diete që nuk përmban karbohidrate apo yndyra. Për të kuptuar se çka funksionon në favor të zemrës, studiuesit kanë ndjekur gati 200 mijë njerëz për disa dekada, dhe kanë gjetur se kualiteti i ushqimit që kanë konsumuar ndikon po aq sa mbajtja e një diete pa karbohidrate e yndyra.

Gjetjet kanë sugjeruar se konsumimi i ushqimit të shëndetshëm e me kualitet të lartë, është shumë i rëndësishëm për ta mbrojtur zemrën.

Më parë, dietat pa karbohidrate e yndyra janë prezantuar nga ekspertët e shëndetit si shumë të mira për menaxhimin e peshës së tepërt trupore, për përmirësimin e qarkullimit të gjakut si dhe për kolesterolin apo yndyrën në gjak.

Sidoqoftë, ndikimi i këtyre dietave në zvogëlimin e rrezikut nga sëmundjet e zemrës ka mbetur debat i vazhdueshëm.

“Kemi gjetur se ajo që hani përmes një diete me përmbajtje të paktë të karbohidrateve apo yndyrave, ndikon po aq sa vet dieta. Versionet e shëndetshme të këtyre dietave, ato që përmbajnë më shumë ushqime bimore e drithëra të plota, janë më të mira për shëndetin e zemrës dhe patën lidhje me përmirësim të metabolizmit. Në kontrast, dieta që nuk përmban karbohidrate e yndyra të shumta, por që përmbajnë ushqime të pashëndetshme, kishin lidhje me rrezik më të lartë për sëmundje të zemrës”, ka thënë Zhiyuan Wu, doktor në laboratorin e Harvardit.

Për ta kuptuat më mirë këtë lidhje, ekspertët kanë analizuar të dhënat e tri grupeve te mëdha:

43,430 burrave nga viti 1986 deri në vitin 2016
64,164 grave nga viti 1986 deri në vitin 2018, dhe
92,189 gra nga viti 1991 deri në vitin 2019.

Shkencëtarët kanë përcjellë këta gati 200 mijë pjesëmarrës për disa dekada, duke ndjekur zakonet e dietave të tyre dhe nëse kanë zhvilluar sëmundje të zemrës.

Pjesëmarrësit shpesh i janë përgjigjur pyetësorëve, duke i lejuar studiuesit t’i shënojnë të dhënat e dietave të tyre bazuar në karbohidrate, yndyra dhe proteina që konsumonin.

Studiuesit i kanë klasifikuar karbohidratet, yndyrat dhe proteinat e ushqimeve të tillë si drithërat e plota, frutat, perimet, arroret dhe bishtajoret si vlera ushqyese të larta apo të shëndetshme.

Ndërkohë karbohidratet nga patatet dhe drithërat e përpunuara, si dhe yndyrat e ushqimit me bazë shtazore, u klasifikuan si ushqim jo kualitativ apo i pashëndetshëm.

Për më shumë se 10 mijë pjesëmarrës, ekipi i studiuesve gjithashtu ka analizuar rrjedhën e gjakut në mënyrë që ta kuptonin ndikimin që kishte dieta në shëndetit metabolik.

“Kjo qasje na ka mundësuar të kuptojmë më mirë efektin biologjik të këtyre dietave dhe i ka përforcuar gjetjet tona”, ka thënë Wu.

Studiuesit kanë gjetur se pjesëmarrësit që ndiqnin dieta që përmbanin karbohidrate e yndyra, por që ju përkisnin atyre të shëndetshmeve, patën më pak gjasa që të zhvillonin sëmundje të zemrës.

Ndërkaq ata pjesëmarrës që ndiqnin dieta me karbohidrate e yndyra nga ushqimet e pashëndetshme, patën rrezik më të madh të zhvillonin sëmundje të zemrës.

Këto dieta me përmbajtje të ushqimeve të shëndetshme, si ato që nuk përmbajnë shumë karbohidrate e yndyra, zvogëlonin rrezikun për sëmundje të zemrës për 15 për qind.

“Gjetjet tona sugjerojnë se përmirësimi i kualitet të ushqimit që konsumohet është shumë me rëndësi për shëndetin e zemrës. Pavarësisht nëse dikush ndjek ndonjë dietë që nuk përmban karbohidrate e yndyra, ushqimi që konsumohet duhet të jetë i shëndetshëm si frutat apo perimet, ushqime që nuk janë të përpunuara, duke kufizuar sa më shumë sheqerin, drithërat e mishrat e përpunuara”, ka thënë ndër të tjera Wu.

Në mënyrë që shëndeti i zemrës të mbahet në nivelin e duhur, duhet të inkorporohen sa më shumë ushqime si drithërat e plota, frutat perimet, arroret dhe bishtajoret duke larguar mishrat e përpunuar, karbohidratet e përpunuara si dhe sheqerin.