Lifestyle

Dieta “Keto” ul simptomat e depresionit deri në 70 për qind

Dieta Keto

Dieta Keto

Studim i ri i Universitetit të Ohios ka treguar se dieta “Keto”, e ndjekur për të paktën 10 javë, lidhet me një ulje deri në 70 për qind të simptomave të depresionit te studentët universitarë.

Studimi i botuar në revistën Translational Psychiatry, ka raportuar gjithashtu përmirësime të dukshme në mirëqenien e përgjithshme dhe në aftësitë njohëse të pjesëmarrësve, ka raportuar PsyPost.

Studiuesit, të udhëhequr nga doktori Drew D. Decker, e nisën kërkimin duke parë rritjen e rasteve të depresionit, sidomos në kampuse.

Shumë studentë nuk përfitojnë plotësisht nga psikoterapia apo ilaçet, të cilat shpesh kanë edhe efekte anësore.

Studiuesit dyshonin se një dietë e njohur për përmirësimin e shëndetit metabolic, dieta “Keto” me shumë pak karbohidrate dhe shumë yndyrë e shëndetshme, mund të ndihmojë edhe te simptomat e depresionit.

“Një nga gjërat që donim të siguronim ishte që po ofronim trajtim për persona që plotësonin kriteret për çrregullim të madh depresiv. Çdo pjesëmarrës pati intervistë rreth 2 orë e gjysmë në fillim, dhe më pas vlerësime javore të simptomave”, ka thënë profesoresha e psikologjisë klinike, Jennifer Cheavens, e cila mbikëqyri vlerësimet klinike.

Rezultatet

Nga 24 studentë të përfshirë, 16 e përfunduan programin 10–12 javor. Tek ata u vu re se:

69 për qind ulje në simptomat e vetë-raportuara të depresionit.

71 për qind ulje në vlerësimin klinik të depresionit.

Në fund të studimit, askush nuk plotësonte më kriteret për depresion të moderuar ose të rëndë.

Psikiatri Ryan Patel theksoi rëndësinë e rezultateve.

“Efekti mesatar i ilaçeve dhe këshillimit pas 12 javësh është rreth 50 për qind, ndërsa ne pamë një rezultat dukshëm më të madh. Është gjetje mbresëlënëse që, në këtë rast real, të gjithë u përmirësuan dhe askush nuk pati nevojë për trajtim shtesë ose ndërhyrje urgjente”, ka thënë Patel.

Përveç shëndetit mendor, pati edhe ndryshime fizike:

-15 nga 16 studentë humbën peshë në mënyrë të shëndetshme (mesatarisht 5 kg).

-Niveli i faktorit neurotrofik të trurit (BDNF), i rëndësishëm për shëndetin e neuroneve, u rrit me 32 për qind.

-Hormoni leptin, i lidhur me yndyrën trupore dhe oreksin, ra me 52 për qind.

-Testet treguan përmirësim në kujtesë, shpejtësi përpunimi dhe funksione ekzekutive.

“Ishte shumë e rëndësishme që pjesëmarrësit ta dinin saktësisht se çfarë po ndërmerrnin. Një pjesë e madhe e suksesit ishte t’u përshtatnim sugjerimet sipas asaj që atyre u pëlqente ose jo të hanin”, ka thënë autori i parë i studimit, Drew Decker.

Ndërsa profesori Jeff Volek, bashkautor i studimit, shpjegoi se dieta “Keto” funksionon përmes disa mekanizmash të ndryshëm metabolikë që mund të ndërthuren me biologjinë e depresionit, duke shtuar se rezultatet e nxisin atë të vazhdojë studimin.

Kufizimet e studimit

Studimi ishte i vogël (vetëm 16 studentë e përfunduan) dhe pa grup krahasues, ndaj nuk mund të thuhet me siguri se efektet vinin vetëm nga dieta, apo nga kombinimi me këshillimin dhe ilaçet. Megjithatë, autorët e shohin këtë si hap premtues.

“Ka një boshllëk trajtimi, kemi më shumë studentë me shqetësime të shëndetit mendor sesa mund të marrin ndihmë profesionale. Nevojiten mënyra të reja për t’i ndihmuar ata në shkallë të gjerë, dhe ushqimi është një nga këto mënyra”, ka thënë Patel.

Volek ka shtuar se shumë njerëz janë duke vuajtur, prandaj ai po e sheh si “shpërblim” që ka mundur të sjell zgjidhje të mundshme.

“Ky është një nga studimet e para të kontrolluara mire, edhe pse me kufizime, dhe rezultatet na inkurajojnë ta vazhdojmë”, ka thënë ai.