Një studim i ri klinik sugjeron se dieta ketogjenike apo Keto, mund të sjellë përmirësime të rëndësishme në shëndetin metabolik, përveç humbjes së peshës, ka shkruar Science Daily.
Dieta Keto përmban shumë pak karbohidrate e më shumë yndyra të shëndetshme, plani i së cilës është dizajnuar që trupi, të djegë yndyrat për të fituar energji, në vend se ta merr atë nga sheqernat.
Në studim morën pjesë 42 persona me obezitet, paradiabet dhe mëlçi të dhjamosur, të cilët u ndanë në tre grupe: grupi me dietë Keto, grupi me Dietë Mesdhetare dhe grupi me dietë me pak yndyrë e ushqime kryesisht bimore.
Të tre grupet humbën rreth 10 për qind të peshës trupore brenda katër deri në pesë muaj.
Megjithatë, ndryshimi më i madh u vu re te yndyra në mëlçi.
Dieta Keto e uli sasinë e dhjamit të mëlçisë mesatarisht me 67 për qind, ndërsa Dieta Mesdhetare dhe ajo me bazë bimore me rreth 45 për qind.
Përmirësime u vunë re edhe te ndjeshmëria ndaj insulinës në të tre grupet. Por keto pati rezultatet më të mira edhe te paradiabeti pasi rreth 50 për qind e pjesëmarrësve që ndoqën këtë dietë nuk plotësonin më kriteret për paradiabet pas përfundimit të studimit. Për krahasim, kjo ndodhi te 29 për qind e grupit që ishin me dietë mesdhetare dhe vetëm 7 për qind e grupit me dietë me bazë bimore.
“Të dhënat tona sugjerojnë se, nëse keni shumë yndyrë apo dhjam në mëlçi dhe paradiabet, ulja e konsumit të karbohidrateve mund të ketë efekte të rëndësishme terapeutike në metabolizëm, përtej humbjes së peshës”, ka thënë Samuel Klein, autori kryesor i studimit.
Një tjetër gjetje interesante ishte se, pavarësisht se dieta keto përmbante shumë më tepër yndyrë, pjesëmarrësit nuk patën rritje të yndyrave të dëmshme në gjak apo kolesterolit gjatë studimit.
Studiuesi Max Petersen e cilësoi këtë si një nga rezultatet më befasuese.
“Gjetja më befasuese ishte se pjesëmarrësit në grupin keto nuk patën rritje të yndyrave në gjak apo të kolesterolit, ani pse konsumonin më shumë yndyrë”, ka thënë ai.
Megjithatë, studimi ishte i vogël dhe zgjati vetëm rreth 4-5 muaj, ndaj nevojiten kërkime më të gjata për të kuptuar efektet dhe sigurinë afatgjatë të dietës keto.