Një studim i ri tregon se dieta DASH, që thekson konsumimin e frutave, perimeve, drithërave të plota dhe kufizimin e kripës e sheqerit,e cila është e shëndetshme për zemrën mund të ulë rrezikun për rënie të aftësive njohëse deri në 41 për qind, ka shkruar EatingWell.
Rezultatet janë publikuar në revistën JAMA Neurology dhe bazohen në të dhëna nga tre studime të mëdha afatgjata në SHBA: Nurses’ Health Study, Nurses’ Health Study II dhe Health Professionals Follow-Up Study.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë total u analizuan mbi 159 mijë burra dhe gra, të ndjekur për dekada me radhë.
Pjesëmarrësit plotësonin rregullisht pyetësorë për ushqimin, ndërsa studiuesit vlerësuan sa shumë ata u përmbaheshin gjashtë modeleve të shëndetshme të të ushqyerit, përfshirë dietën DASH dhe Alternate Healthy Eating Index (AHEI-2010), si dhe dieta të bazuara në ushqime bimore.
Shëndeti i trurit u mat në dy mënyra:
-përmes vetëvlerësimit të pjesëmarrësve për kujtesën dhe përqendrimin (një shenjë e hershme e problemeve njohëse);
-përmes testeve objektive të kujtesës dhe të të folurit në një nëngrup më të moshuar.
Sa më shumë që një person i përmbahej një diete të shëndetshme, aq më i ulët ishte rreziku për rënie njohëse.
Dieta DASH ka treguar ndikim më të madh. Personat që e ndiqnin me përpikëri këtë dietë kishin 41 për qind më pak rrezik për rënie të theksuar të aftësive njohëse apo kujtesës krahasuar me ata që e ndiqnin më pak.
Rezultatet treguan gjithashtu se sa më e rregullt të ishte dieta e shëndetshme, aq më i madh ishte përfitimi.
Në testet objektive, personat me pikë të larta në dietën DASH kishin funksion njohës të krahasueshëm me dikë pothuajse një vit më të ri.
Ushqimet që u lidhën me mbrojtje më të mirë të trurit përfshinin:
-perimet,
-peshkun,
-konsumimin e moderuar të verës,
-madje edhe salcat e sallatës me bazë të shëndetshme.
Ndërsa mishi i kuq dhe i përpunuar, patatet e skuqura dhe pijet me shumë sheqer u lidhën me shëndet më të dobët të aftësive njohëse.
Një tjetër gjetje e rëndësishme ishte mosha: përfitimet ishin më të forta kur zakonet e shëndetshme ushqimore krijoheshin në moshën 45-54 vjeç. Kjo ka sugjerur se mesi i jetës është një periudhë e rëndësishme për të investuar në shëndetin e trurit.
Studiuesit theksojnë se të dhënat për ushqimin ishin të vetëraportuara, çka mund të sjellë pasaktësi. Gjithashtu, ky ishte një studim vëzhgues, prandaj tregon lidhje, por jo domosdoshmërisht shkak-pasojë. Pjesëmarrësit ishin kryesisht profesionistë shëndetësorë të bardhë dhe me arsim të lartë, ndaj rezultatet mund të mos vlejnë njësoj për çdo popullsi.
Studimi përforcon idenë se ushqimi ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e trurit. Një regjim si dieta DASH, më shumë perime, fruta, drithëra të plota dhe peshk, më pak ushqime të përpunuara dhe pije me sheqer, jo vetëm që ndihmon zemrën dhe tensionin, por mund të mbrojë edhe kujtesën në vitet e mëvonshme.
Ekspertët theksojnë se fillimi i hershëm është thelbësor: sa më herët të ndërtohen këto zakone, aq më i madh mund të jetë përfitimi për trurin në të ardhmen.