Një studim i ri në SHBA me mbi 28 mijë të rritur ka zbuluar se dietat me pak kalori lidhen me rritjen e rrezikut për simptoma depresive, sidomos te burrat, ka raportuar The Times.
Kushdo që ka provuar të shmangë ëmbëlsirat për të ngrënë karota, e di se dieta mund të jetë përvojë jo e këndshme. Tani, studimi i ri ka konfirmuar se reduktimi i kalorive lidhet me gjendje të ulët emocionale, sidomos te burrat.
Studiuesit nga Universiteti i Torontos analizuan të dhënat e 28,528 të rriturve amerikanë përgjatë një dekade. Ata kanë plotësuar pyetësorë mbi zakonet e tyre ushqimore dhe ndjekjen e dietave, si dhe iu nënshtruan vlerësimeve klinike për depresion.
Rezultatet kanë treguar se pjesëmarrësit që ndiqnin dieta me më pak kalori shfaqnin më shumë simptoma depresive, si lodhje, vështirësi në përqendrim dhe mungesë kënaqësie në aktivitetet e përditshme.
Sipas autorëve të studimit, kjo mund të ndodhë sepse kufizimi i ushqimit shkakton “mungesa ushqyese” në proteina dhe vitamina, që janë thelbësore për funksionimin e trurit dhe stabilitetin emocional.
“Mungesa e humbjes së peshës ose rikthimi i peshës gjatë dietës në kushte reale mund të çojë në përkeqësimin e simptomave depresive”, shkruajnë ata.
Efekti ishte më i theksuar te burrat, ndoshta për shkak të “nevojave më të mëdha ushqyese” dhe faktit që burrat në përgjithësi e përjetojnë më rëndë ndjekjen e një diete.
“Dyshojmë se, për shkak se burrat zakonisht kanë nevojë për më shumë kalori, dietat kufizuese mund të paraqesin sfida unike që ndikojnë ndryshe në gjendjen emocionale krahasuar me gratë”, shkruhet në studim.
Studimi, i publikuar në revistën BMJ Nutrition Prevention & Health, thekson se dietat me kalori të kufizuara janë i vetmi model ushqimor që shfaqet në mënyrë domethënëse me rritje të simptomave depresive krahasuar me ata që nuk ndjekin dietë.
Një nga arsyet mund të jetë ndikimi i drejtpërdrejtë në tru. Shëndeti mendor kërkon mjaftueshëm glukozë për energji dhe acide yndyrore omega-3 për funksion optimal.
“Dieta mund të përkeqësojë funksionin e trurit, veçanërisht kur kombinohet me mungesat ushqyese dhe stresin fiziologjik që lidhet me dietën dhe obezitetin”, kanë shkruar tutje studiuesit.
Në studim, pjesëmarrësit plotësuan pyetësor të standardizuar për depresionin të quajtur PHQ-9, me rezultat maksimal 27 pikë. Gati 10 për qind e tyre ishin në dietë me pak kalori dhe mesatarisht ata shënuan 0.29 pikë më shumë në këtë test krahasuar me ata që nuk ishin në dietë. Meshkujt përjetuan simptoma më të rënda.
“Ky studim shton prova në rritje që lidhin modelet ushqimore me shëndetin mendor, duke ngritur pyetje të rëndësishme mbi faktin nëse dietat kufizuese, që janë të varfra në lëndë ushqyese të rëndësishme për trurin si omega-3 dhe vitamina B12, mund të nxisin simptoma depresive”, ka thënë profesoresha Sumantra Ray, nga Instituti Global për Ushqim, Nutricion dhe Shëndet (NNEdPro).
Ajo ka theksuar se efektet ishin të vogla, por të rëndësishme, dhe ka shtuar se “duhen studime të tjera më të mirë-organizuara për të kuptuar më mirë lidhjen mes dietës dhe depresionit”.