Lifestyle

A kanë nevojë për suplemente fëmijët që janë nazelinj në ushqim?

Fëmijët nazeli në ushqim

Në çdo supermarket, raftet e produkteve shëndetësore janë të mbushura me kuti të ngjyrosura me vitamina e minerale për fëmijë.

Këto produkte premtojnë forcim të imunitetit, zhvillim më të mirë të trurit dhe rritje të shëndetshme, duke i bërë shumë prindër të mendojnë se janë të domosdoshme për ushqimin e fëmijës së tyre, shkruan Science Alert.

Sidomos për prindërit e fëmijëve që janë nazelinj në të ngrënë, pra që zgjedhin ushqimin dhe refuzojnë shumë produkte, suplementet mund të duken si zgjidhje e shpejtë dhe e sigurt. Por, a janë me të vërtetë të nevojshme?

Vitaminat për të cilat fëmijët kanë me të vërtetë nevojë

Është e vërtetë që fëmijët kanë nevojë për një gamë të gjerë vitaminash dhe mineralesh, si vitaminat A, B, C, D, E dhe K, si dhe për folat, kalcium, jod, hekur dhe zink, për zhvillim të shëndetshëm.

Këto lëndë ushqyese luajnë rol kyç në zhvillimin e trurit dhe nervave, forcimin e eshtrave, imunitetin, metabolizmin dhe mbajtjen e një peshe të shëndetshme.

Por, sipas ekspertëve, shumica e fëmijëve të shëndetshëm këto lëndë i marrin mjaftueshëm nga ushqimi, jo nga suplementet.

Edhe fëmijët që përzgjedhin shumë ushqimin, zakonisht marrin mjaftueshëm lëndë ushqyese nga ushqimet e përditshme, sepse shumë prej tyre janë të pasuruara. Për shembull, drithërat e mëngjesit, qumështi dhe buka shpesh përmbajnë vitamina B, hekur, kalcium dhe jod.

Çfarë thotë shkenca për suplementet

Ani pse shumë suplemente për fëmijë pretendojnë se “forcojnë imunitetin” apo “ndihmojnë rritjen”, studimet nuk kanë gjetur prova të forta shkencore që ato përmirësojnë shëndetin ose parandalojnë sëmundjet te fëmijët e shëndetshëm.

Institucionet kryesore shëndetësore theksojnë se “fëmijët që ushqehen në mënyrë të larmishme nuk kanë nevojë për suplemente shtesë”.

Studiuesit gjithashtu tregojnë se marrja e vitaminave përmes ushqimit është shumë më e dobishme sesa përmes pilulave.

“Ushqimet përveç vitaminave e mineraleve përmbajnë fibra, enzima dhe komponime bioaktive, si yndyra të shëndetshme dhe fitokimikate, që ndihmojnë trupin t’i përthithë më mirë këto lëndë, diçka që suplementet nuk mund ta bëjnë”, thuhet në analizë.

Rreziqet dhe pasojat e mundshme

Prindërit duhet të dinë se suplementet nuk janë pa rrezik.

Vitaminat që treten në yndyrë, si A, D, E dhe K, mund të grumbullohen në trup nëse merren me tepër se që duhet. Në sasi shumë të larta, ato mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, madje në rastin e vitaminës A mund të jenë fatale.

Edhe doza të larta të vitaminave të tjera, si vitamina C, mund të shkaktojnë diarre ose të pengojnë përthithjen e lëndëve të tjera ushqyese.

Shumë suplemente për fëmijë janë të ëmbëlsuara ose aromatizuara për t’u bërë më tërheqëse, por kjo shton sheqer dhe përbërës artificialë në dietën e fëmijëve, gjë që mund të dëmtojë zakonet e shëndetshme të të ngrënit.

Një tjetër rrezik është ai psikologjik: nëse fëmijët mësohen të marrin suplemente për çdo “tekë” në ushqim, mund të krijojnë bindjen se një pilulë mund të zëvendësojë një vakt të shëndetshëm.

Çfarë duhet të bëjnë prindërit?

Mënyra më e mirë për të siguruar vitaminat dhe mineralet që u duhen fëmijëve është dieta e larmishme dhe e balancuar: qumësht, mish, peshk, vezë, drithëra të plota, arra, fara, bishtajore dhe fruta e perime shumëngjyrëshe.

Nëse fëmija është shumë përzgjedhës, mos u shqetësoni, studimet tregojnë se gati gjysma e fëmijëve kalojnë një fazë të tillë. Kjo sjellje, sipas ekspertëve, ka rrënjë në evolucion: njerëzit e hershëm shmangnin ushqimet e panjohura ose me shije të hidhur për t’u mbrojtur nga helmimet.

Megjithatë, me pak durim dhe kreativitet, prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët të pranojnë më shumë ushqime të shëndetshme:

-Përziejini ushqimet: shtoni fasule të bardha apo lulelakër në pure patatesh për më shumë vlera ushqyese.

-Bëni zëvendësime të vogla: kaloni gradualisht nga buka dhe orizi i bardhë në versionet integrale.

-Përdorni ushqime të njohura: kombinoni ushqimet e reja me ato që fëmija i pëlqen, si fruta me kos ose makarona me salcë të kuqe e të gjelbër.

Këta hapa të vegjël mund t'i ndihmojnë fëmijët të krijojnë marrëdhënie më të shëndetshme me ushqimin, pavarësisht shijeve të tyre përzgjedhëse.

Megjithatë, ka raste kur suplementet janë të nevojshme, për shembull te fëmijët me mungesa të diagnostikuara, me probleme shëndetsore apo dieta shumë të kufizuara.

Në këto raste, ekspertët këshillojnë që prindërit të konsultohen me mjekun pediatër ose dietologun.

Shenjat që mund të tregojnë mungesa përfshijnë kapsllëk të vazhdueshëm, lodhje ose mungesë rritjeje.