Kosova është ndër vendet nikoqire të një ndër ushtrimeve më të mëdha shumëkombëshe ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara – “Defender Europe 2025”. Me pjesëmarrjen e mbi 25 mijë trupave nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s, ky organizim po shihet si një hap domethënës drejt afrimit të Kosovës me strukturat euro-atlantike
Pjesëmarrja dhe organizimi i “Defender Europe 2025” po konsiderohet si hap përafrues i Kosovës drejt strukturave ushtarake euro-atlantike, sipas ekspertëve të sigurisë.
Koloneli në pension i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, thotë se pjesëmarrja e FSK-së në këtë ushtrim e shkurton rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.
“Amerika dhe ushtria amerikane na i ka hapur dyert edhe me këtë rast, me pranimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në këtë ushtrim, edhe përzgjedhjen e territorit të Kosovës për mbajtje të ushtrimit. Pra, në Gjakovë është e dislokuar komanda e divizionit 28 amerikan. E kjo do të na ndihmonte shumë, që rruga për avancim në NATO të jetë edhe më e shkurtër”, ka thënë Veseli.
Veseli shton se ushtrimi do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin profesional të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Në aspektin profesional të zhvillimit të forcës ky ushtrim do të ndikojë shumë, sepse gjatë këtij ushtrimi do të marrim përvoja nga Ushtria Amerikane dhe ushtritë e tjera të NATO-s, që janë pjesëmarrëse. Po ashtu, sistemet e reja të armëve, që Kosova është furnizuar me to, do ta kenë mundësinë t’i aplikojnë, t’i përdorin”, ka thënë ai.
Ish-atasheu ushtarak në Shtetet e Bashkuara, Xhavit Gashi, thekson se mbështetja e vazhdueshme e SHBA-së dhe pjesëmarrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në “Defender Europe 2025”, e përforcojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
“Me këtë përfundim të këtij ushtrimi, me validimin e regjimentit të tretë ne kalojmë në fazën e fundit të procesit 10-vjeçar të ushtrisë së Kosovës. Pra, të tranzicionit në ushtrinë e Kosovës”, ka deklaruar Gashi.
“Defender Europe 2025” është ushtrimi më i madh ushtarak shumëkombësh, i udhëhequr nga SHBA-të, me mbi 25 mijë trupa nga 29 shtete që stërvitin në 18 vende të Evropës, përfshirë Kosovën, me synim forcimin e gatishmërisë dhe ndërveprimit ushtarak.
Një pjesë e stërvitjeve tash e disa ditë po mbahen edhe në Kosovë.