Arbëri

Kosova mikpritëse e mijëra ushtarëve nga gati 30 vende

Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ushtarak ndërkombëtar të mbajtur ndonjëherë në territorin e saj. Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, vlerësoi se kjo është dëshmi e qartë e rritjes së rolit të Kosovës si një vend i besueshëm për partnerët strategjikë. “Defender Europe 2025” do të zhvillohet nga 26 maji deri më 9 qershor, me pjesëmarrjen e rreth 25 mijë trupave nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s

Nga e hëna, Kosova do të jetë një nga 18 shtetet pritëse të ushtrimit ushtarak “Defender Europe 2025”, që konsiderohet si stërvitja më e madhe shumëkombëshe që është zhvilluar ndonjëherë në territorin e vendit.

Në këtë operacion të udhëhequr nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë pritet të marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.

Pjesë e këtij ushtrimi do të jetë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), që do të bashkëpunojë me ushtritë e vendeve pjesëmarrëse në aktivitete që simulojnë operacione mbrojtëse, sulmuese dhe të stabilitetit.

Sipas ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për herë të parë në Kosovë do të vendoset Komanda e Divizionit 28 të Këmbësorisë së Ushtrisë së SHBA-së, e cila do të udhëheqë operacionet në gjithë rajonin e Ballkanit gjatë këtij ushtrimi.

Ai vlerësoi se kjo është dëshmi e qartë e rritjes së rolit të Kosovës si një vend i besueshëm për partnerët strategjikë.

“Për vendin tonë është arritje e jashtëzakonshme dhe tregon për besimin që Shtetet e Bashkuara kanë në Qeverinë, institucionet dhe në veçanti në profesionalizmin e ushtrisë sonë. Republika jonë po shihet vend kredibil për të mikpritur një ndër aktivitete më mëdha që ushtria e ShBA zhvillon në kontinentin e Evropës. Njësitë e FSK-së përmes këtij ushtrimi përveç që zhvillojnë kapacitetet luftarake, rrisin ndërveprueshmërinë me njësitë ushtarake të SHBA-ve dhe vendeve partnere”, ka thënë Maqedonci.

Ai shtoi se pjesëmarrja në “Defender Europe 2025” nuk është vetëm një stërvitje ushtarake, por edhe një mundësi për të testuar në terren pajisjet dhe armatimin që Kosova ka blerë dhe po vazhdon të blejë për FSK-në.

Në lidhje me ndikimin që ka ky organizim në procesin e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike, Maqedonci tha se ushtrime të tilla janë tregues i afërsisë së vendit me NATO-n.

“Ushtrimet e tilla si Defender Europe 25 kontribuojnë në përgatitjen e FSK-së që të rris ndërveprueshmërinë me ushtritë e vendeve të NATO-s. Gjithashtu vet organizimi për pritjen e një ushtrimi të këtij niveli, organizim ky shumë kompleks që kërkon përkushtim dhe profesionalizëm shumë të lartë si nga Ministria e Mbrojtjes gjithashtu dhe Forca e Sigurisë së Kosovës tregon për përafrimin e vendit tonë me NATO-n por dhe besimin e shteteve të NATO-s në aftësinë e vendit tonë për të kontribuar në të ardhmen në NATO”, u shpreh ai.

Aktualisht, përgatitjet në terren janë në fazën përfundimtare.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë duke u ndërtuar kampet për pritjen e njësive të vendeve partnere dhe janë planifikuar lëvizjet e trupave drejt zonave të trajnimit në Babaj të Bokës dhe në Aeroportin e Gjakovës.

Ushtrimi do të zgjasë deri më 9 qershor.

“Defender Europe 2025” është ushtrimi më i madh ushtarak shumëkombësh i udhëhequr nga SHBA-ja.