Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se veçantia e ushtrimit “Defender Europe 25” është se Republika e Kosovës është përzgjedhur nga Ushtria e SHBA-së si vend për ta vendosur komandën e Divizionit 28 të këmbësorisë.
Kosova do të jetë në mesin e 18 vendeve nikoqire dhe FSK-ja do të marrë pjesë me 1000 trupa na uështrimet që do të zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci e Maqedoni të Veriut.
“Veçantia më e rëndësishme për ne në ushtrimin Defender Europe 25 është që Republika e Kosovës është vendi i përzgjedhur nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vendosur komandën e Divizionit 28 të këmbësorisë. Nga baza e FSK-së në Aeroportin e Gjakovës, kjo komandë taktike amerikane do të udhëheqë me të gjitha brigadat në regjionin e Evropës Juglindore. Përveç komandës së Divizionit 28 në Zonën e Trajnimit në Babaj të Bokës njësiteve të FSK-së do t’u bashkëngjiten edhe njësi ushtarake të Gardës së IOËA, njësi dhe personel nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kroacisë, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Pjesa e ushtrimit që zhvillohet në Kosovë do të zgjasë deri më 9 qershor dhe do të zhvillohet në pjesën perëndimore të vendit tonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka thënë se Kosova po dëshmon që është e aftë për të mikëpritur dhe organizuar në territorin e saj ushtrime komplekse.
“Gjatë këtij ushtrimi njësitë e FSK-së do të zhvillojnë operacione luftarake sulmuese, mbrojtëse dhe të stabilitetit. Në ushtrim do të ketë edhe qitje me zjarr të vërtetë me sistemet e armëve të blera dhe që po vazhdojnë të blihen nga Qeveria e Kosovës për ushtrinë tonë. Ky ushtrim ka rëndësi të madhe për rritjen e ndërveprueshmërisë së forcës tonë me ushtritë e vendeve partnere dhe tregon për rritjen e besimit që ShBA-të dhe partnerët kanë në Qeverinë e Republikës, Ministrinë e Mbrojtjes dhe para së gjithash në profesionalizmin e ushtrisë tonë. Kosova po dëshmon që është e aftë për të mikpritur dhe për të organizuar në territorin e saj ushtrime komplekse që kërkojnë planifikim, organizim dhe mbështetje të nivelit shumë të lartë”, ka shkruar Kurti.