LAJMET E MBRËMJES

Sheshet gjithandej Kosovës kumbojnë në 15-vjetorin e shtetësisë

Në shumicën e komunave, qytetarët festuan 15-vjetorin e pavarësisë. Pati edhe mërgimtarë që erdhën në Kosovë, enkas për kremte. Ndërkaq, një politikan serb u përul në Prekaz dhe kërkoi falje për mizoritë që shteti i tij i bëri dy dekada më parë.

“Jam vesh me tesha te ushtrisë se sot është dita e Pavarësisë”. Me aktivitete të ndryshme, të premten mori formë festa e pavarësisë gjithandej Kosovës.

Në Suharekë edhe një shkollë ka festë. Ajo mban emrin e datës së pavarësisë.

E, fluksi më i madh i njerëzve është në Prishtinë, kryeqytetin ku u mbajtën ngjarjet kryesore në këtë përvjetor.

Një qytetar nga Lipjani erdhi ta shohë djalin që i parakaloi në paradën e Forcës së Kosovës.

“Jemi krenarë për djalë timin edhe për të gjithë ata ushtarë të FSK-së. Mburremi me ta”, ka thënë Ramadan Zeneli.

Ndërkaq, në kryeqytetin historik festa nisi herët. Prizrenasit në këtë ditë pavarësie, e shpallën qytetar nderi kryetarin e Tiranës, Erion Velijajn.

Kremte në këtë ditë pati edhe në Anamoravë, vendës të së cilës për ta shënuar 17 shkurtin erdhën edhe nga diaspora.

Në sheshin e Ferizajt qytetarët rrokën vallen, e në qiellin mbi Pejë defiluan paraglajdistë me flamuj.

Në Deçan u përurua Muzeu Etnologjik, ndërsa në Prekaz, të rënëve nuk u mungoi mirënjohja për sakrificën që bënë.

Para Jasharëve në këtë ditë u përul edhe një serb.

“Në emër të Serbisë së ndershme, kërkoj ndjesë të madhe dhe kërkoj falje për të gjitha krimet e kryera nga Millosheviqi”, deklaroi Nikola Sanduleviq, kryetar i Partisë Republikane të Serbisë.

Por, serbë të Kosovës nuk reflektuan kësisoj.

“Në këtë ditë në vitin 2008 Kosova e ka shpallur pavarësinë e njëanshme, sot këtë ditë në Graçanicë njerëzit e presin indiferent si çdo ditë tjetër në Graçanicë”, ka thënë Petar Gjorgjeviq nga Graçanica.

Si një dekadë e gjysmë më parë, qasja e serbëve mbetet e njëjtë. Ndërkaq, shqiptarët e Kosovës kremtuan kudo për arritjen më të madhe të tyre.