Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Jasharët dhe të rënët gjatë luftës nderohen në 18-vjetorin e Pavarësisë

Kompleksi Memorial "Adem Jashari"

Rruga e kremtes së 18-vjetorit të Pavarësisë ka çuar shumë qytetarë drejt vendit ku janë vënë themelet e shtetësisë. Që në mëngjes, homazhe janë bërë në Prekaz, aty ku ka rënë kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, bashkë me anëtarë të tjerë të familjes e të lagjes. Manifestime ka pasur edhe në Prishtinë, ku është bërë ngritja e flamurit në oborrin e Qeverisë, e më pas është vazhduar me homazhe nga krerët shtetërorë

Donisa Fazliu & Fatjona Rudi

Flamuri i Kosovë është ngritur në objektin e Qeverisë në Prishtinë, në një ceremoni shtetërore për ditëlindjen e 18-të të pavarësisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me këtë rast, presidentja Vjosa Osmani e ka kualifikuar 17 shkurtin si ditë që i bën bashkë të gjithë për t’i nderuar ata që kanë dhënë jetët për liri.

“Sakrifica ka qenë shekullore, kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka që sot ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Shprehim respektin e thellë për presidentin historik Ibrahim Rugova, sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë ata që dhanë jetën që ne ta gëzojmë shtetin tonë”, ka theksuar Osmani.

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Kosova e ka arritur 18-vjetorin e shtetësisë falë sakrificës së atyre që luftuan për lirinë e saj.

“Kosova po rritet, po rritet numri i viteve të pavarësisë, po rritet numri i njohjeve të shtetësisë, po rritet ekonomia e vendit, po rritet mirëqenia e qytetarëve, po rritet fuqia e shtetit. Para 18 vjetëve lindi Pavarësia e Republikës së Kosovës, por lindi e pjekur, meqenëse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata të panumërta, kanë kontribuar e janë sakrifikuar që ne të jemi të lirë dhe të pavarur, të kemi shtet demokratik dhe sovran”, është shprehur Kurti.

E kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se në ditën e pavarësisë duhet të kujtohen të gjithë të rënët për liri.

“Sot, por edhe çdo ditë tjetër, kujtojmë me nderim dhe respekt të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësinë që ne sot e gëzojmë. Pra, dëshmorët e kombit dhe martirët. Por po ashtu nderojmë edhe figurat e larta që kontribuuan në rrethana dhe periudha të ndryshme për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Pavarësinë e nderojmë nëse punojmë me institucione funksionale që funksionojnë me integritet dhe po ashtu me profesionalizëm”, ka thënë ajo.

Në kuadër të organizimeve për përvjetorin e 18-të të Pavarësisë, përfaqësues shtetërorë kanë bërë homazhe edhe para Monumentit të të Pagjeturve dhe te Memoriali i Fëmijëve të Vrarë, te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, e te monumenti “Heroinat”, si dhe në Prekaz.

Krahas tyre, edhe shumë qytetarë kanë vizituar Prekazin, ku i kanë nderuar heroizmin dhe sakrificën e Jasharëve.

Para varrit të kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari, dhe të rënëve të tjerë të familjes Jashari, kanë bërë homazhe edhe shqiptarë që jetojnë përtej kufijve të Kosovës, si edhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta.

Kompleksi memorial në Prekaz është vizituar edhe nga shumë përfaqësues të tjerë institucionalë e të shoqatave të ndryshme.