Liderë shtetërorë dhe ata politikë u bashkuan të premten në Prekaz për homazhe pranë varrezave të familjes Jashari, me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Ata e cilësuan Prekazin si simbol të sakrificës së papërsëritshme për liri dhe për rrugëtimin e pastër drejt krijimit të shtetit
Në 28-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, liderë shtetërorë e ata partiakë u bënë bashkë në Prekaz, për të bërë homazhe pranë varrezave të Jasharëve.
Presidentja Vjosa Osmani tha se Prekazi është simbol i sakrificës së papërsëritshme për liri dhe për rrugëtimin e pastër drejt shtetit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Shpresoj që çdoherë që dikush mund të ketë ndonjë dyshim se cila duhet të jetë rruga përpara, të mendojë sakrificën e fëmijëve të familjes Jashari dhe fëmijëve anekënd Kosovës që u sakrifikuan që ne të jemi të lirë. Prekazi na përkujton se liria është amanet dhe këtë amanet duhet ta ruajmë me çdo kusht”, ka deklaruar Osmani.
E kryeministri Albin Kurti theksoi se Prekazi e rikujton çmimin e lartë që u pagua për shtet të pavarur e sovran, si dhe për çlirimin e Kosovës.
“Tre breza të Jasharëve, gjatë tri ditëve, u flijuan për çlirimin e vendit, lirinë e popullit, për Republikën dhe për bashkimin tonë, andaj familjes Jashari, ne ia kemi borxh të përjetshëm e të pashlyeshëm angazhimin e përditshëm që ta ruajmë e ta mbrojmë shtetin dhe të drejtat dhe liritë e qytetarëve pa dallim”, është shprehur Kurti.
Sakrifica e Jasharëve për liri u vlerësua lart edhe nga liderë të partive politike.
“Respekt deri në përulje, çka do që të bëjmë ne, nuk është e barasvlershme me veprën dhe sakrificën që kanë bërë Jasharët, gjithmonë respekt deri në përjetësi”, ka thënë Hamëza.
Kurse kryetari I LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se nga Prekazi kuptohet se sa e shenjtë është liria që sot e gëzojnë qytetarët.
“Përpjekja për shuarjen e trungut familjar të Jasharëve ishte përpjekje për shuarjen e popullit të Kosovës. Qëndresa në Epopenë e UÇK-në ishte qëndresa e vetë popullit”, ka deklaruar Abdixhiku.
Kryetari i dorëhequr i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se familja heroike Jashari, në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, nuk u përkul para shtypjes dhe okupimit.
“Epopeja e UÇK-së na kujton përpjekjet për liri ndër shekuj, bashkëluftëtarët e rënë dhe na rikujton se edhe ëndrrat më të mëdha bëhen realitet kur je i vendosur dhe në të drejtën e Zotit. Në Prekazin e Komandantit Legjendar Adem Jashari përulemi para sakrificës më sublime për liri dhe përkujtojmë qëndresën heroike që u bë themel i shtetit tonë. Familja heroike Jashari, në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, nuk u përkul para shtypjes dhe okupimit. Qëndresa e tyre përmbysi shekujt e robërisë dhe mbeti përjetësisht në kujtesën e kombit si një rast unik i flijimit për lirinë e atdheut. Lavdi të rënëve ndër breza!Lavdi luftës së UÇK-së!”, ka shkruar ai.
Në Prekaz të premten ishte edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Ai tha se në Prekaz është bërë betimi se liria fitohet me gjak e nuk falet.
“Këtu u dëshmua se e tërë një familje rri krah për krah me burrat, me vëllezërit, dhe digjen në flakë, që nga ajo flakë të lindin liria, pavarësia e drejtësia, prandaj këtu është e tërë Kosova e nuk ka parti politike”.
Më 5 mars 1998, ka nisur sulmi i tretë i forcave serbe ndaj komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, familjes së tij dhe lagjes së Jasharëve në Prekaz të Skenderajt. Luftimet kanë zgjatur për tre ditë - më 5, 6 e 7 mars. Nga familja e ngushtë e Adem Jasharit janë vrarë 22 anëtarë, bashkë me 33 banorë të lagjes dhe të tjerë. Këtij sulmi i ka shpëtuar Bashkimi, djali i Rifat Jasharit, i cili ia pati dalë që të ikte nga rrethina, si dhe Besarta, vajza e Hamëz Jasharit.
Sulmi i parë ndaj familjes Jashari është bërë më 30 dhjetor të 1991-tës, ndërsa të dytin forcat paramilitare serbe e kanë kryer në janar të 1998-s.
Më 22 janar, forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, porse edhe kësaj beteje fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit, dhe Selvetja, vajza e Hamëz Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shokë e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta.
Ata i kanë kërkuar kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty, porse edhe gratë e edhe fëmijët patën marrë vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”.
Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së UÇK-së. Në 28-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e organizon manifestimin mbarëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.