Në vendin ku para 18 vjetësh u shpall Pavarësia e Kosovës, krerët e shtetit e përfaqësues institucionalë shënuan përvjetorin me seancë solemne në Kuvend. Nga Kuvendi u kërkua drejtësi për ish-udhëheqësit që shpallën pavarësinë, e të cilët tash e pesë vjet mungojnë në shënimin e përvjetorit të saj, për shkak të ballafaqimit me drejtësinë në Hagë.
Në po të njëjtin vend nga ku Kosova u shpall Republikë, veprimi i para 18 vjetësh u nderua e u lartësua nga krerët e shtetit të pavarur, ligjvënës, përfaqësues institucionesh e dhjetëra mysafirë.
Salla e Kuvendit të Kosovës, nga një arenë përplasjesh, në shënimin e 17 Shkurtit u mvesh me atmosferë festë e urimesh.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAdresë e të gjithëve ishte përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifati.
Por, në shënimin e përvjetorit të 18 të Pavarësisë së Kosovës, tash e pesë vjet mungojnë ata që e shpallën atë.
Procesi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, që është duke u zhvilluar në Hagë, u kritikua në Prishtinë nga liderët e Kosovës, Shqipërisë e përfaqësues të subjekteve politike.
Presidentja Vjosa Osmani bëri thirrje për unitet në mbrojtje të luftës çlirimtare e presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tha se e vërteta nuk mund të tjetërsohet e historia s`mund të rishkruhet.
“Asnjë dallim yni i së kaluarës apo i së tashmes nuk guxon të jetë pengesë në unitetin tonë, në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare sepse kështu ne e mbrojmë pastërtinë e lirisë, pavarësisë dhe vet ekzistencën e vendit tonë. Sepse mbi çdo dallim ekziston përgjegjësia e jonë e përbashkët për ta mbrojtur këtë shtet i cili është rezultat i një sakrifice shekullore”, tha Osmani.
“Historia e Kosovës nuk mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre. Ata që dje e udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara nga Gjykata Speciale, duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar”, tha Begaj.
E kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se UÇK-ja e lufta e saj ka buruar nga populli e nga e drejta e tyre për çlirim.
“Lufta e UÇK-së ishte luftë për dinjitet dhe liri…Lufta jonë nuk ishte agresion por rezistencë ndaj okupimit dhe shtypjes, gjenocidit e spastrimit etnik”, tha Haxhiu.
“Republika nuk lëshon pe kur janë në pyetje sovraniteti shtetëror e integriteti territorial”, tha kryeministri Albin Kurti.
“Fqinji ynë verior Serbia i do veçse eurot nga Evropa porse orientimin e ka te Kremlini. Prandaj, nevojitet që të forcojmë edhe më tej shtetësinë e Kosovës, demokracinë dhe aleancat me shtetet perëndimore dhe me ato shtete fqinje që kanë të njëjtat vlera e interesa sikurse ne”, deklaroi Kurti.
Seanca solemne e Kuvendit të Kosovës ishte një nga aktivitetet e shumta që u zhvilluan në shënimin e ditëlindjes së 18-të të Kosovës si shtet i pavarur.
Paraprakisht, mbledhje solemne mbajti edhe Qeveria.