Sot Kosova feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Më 17 shkurt 2008 në një mbledhje të jashtëzakonshme Kuvendi njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Shpallja e Pavarësisë ishte rezultat i një procesi të gjatë dialogu. Por propozimi i presidentit Martti Ahtisaari nuk kishte marrë mbështetjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Edhe pse u kundërshtua nga Serbia e Rusia, Kosova deklaroi Pavarësinë, akt ky që mori mbështetje nga shtete të rëndësishme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por akti i shpalljes së Pavarësisë nuk i dha fund dialogut që kohë pas kohe rrëshqiti edhe në diskutime për ndryshim kufijsh. Negociatat me Serbinë, të ndërmjetësuara herë nga Bashkimi Evropian e herë nga Shtetet e Bashkuara, kanë përbërë çështjen kryesore të politikës së jashtme, në përpjekjen për t’i dhënë fund sfidimit që Serbia ia bën shtetësisë së Kosovës.

E lëshimet në emër të këtij kompromisi kanë qenë të mëdha, të cilat kulmuan me ujdinë që Serbia e konsideron vegël për ushtrimin e kontrollit mbi një pjesë të territorit.

Megjithëse tani përjashtohet mundësia e diskutimeve për ndryshim kufijsh, të cilat ishin pjesë e diskursit gjatë vitit 2018-2019, rrezik po konsiderohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin Kosova ka dhënë një zotim me marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013. Përveç Serbisë që insiston në këtë pikë, edhe ndërmjetësuesit e dialogut e kanë lëshuar topin në anën e palës kosovare, duka ia kërkuar modalitetet e Asociacionit. Qeveria që tani udhëhiqet nga partia që kishte kundërshtuar edhe me protesta këtë mekanizëm, nuk ka dhënë sinjale se mund të ndryshojë qëndrimin.

18-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të përcillet me shumë aktivitete institucionale.

Nga ora 7 do të bëhet ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës, pas 20 minutave, përkatësisht në orën 7:20 do të mbahet mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në orën 7:30 do të bëhen nderime te Monumenti i të Pagjeturve e pas pesë minutash do të bëhen homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë.

Në orën 8:00 mbahen homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova e pas 10 minutash te te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Nga ora 9 do të ketë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz e në 10:30 do të mbahet seancë solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Nga ora 11:25 do të bëhen nderime te Monumenti Heroinat, në orën 11:30 mbahet parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Në 17:30 pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe dita do të përmbyllet me koncertin solemn të Filharmonisë së Kosovës.

Kurti përmend ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë: Historia do ta bëjë gjykimin e drejtë

28 min. më parë / 17 shk 2026 07:46
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Qeveria e Kosovës ka mbajtur seancën solemne në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shteti, Pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli Kosovës janë të lashtë.

Kurti ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai ka thënë se nuk mund të kujtohet shpallja e Pavarësisë pa i përmendur ata që dhanë kontribut në ndërtimin e shtetit.

“Vërtetë shteti, Pavarësia dhe Kushtetua janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Shteti jonë është ndërtuar dhe qëndron për vlerat e lirisë e demokracisë, barazisë e drejtësisë, prosperitetit dhe përfshirjes. Secili qytetar pavarësisht gjuhës e etnisë, fesë apo prejardhjes është i barabartë para ligjit. Nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Republikës, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë.  Ky vit i pavarësisë na gjen në fillim të mandatit të ri qeverisës. Punët që na presin janë të shumta por i lartë është qëllimi që kemi para vetës. Mësues e student, mjekë e punëtorë, gra e burra, vajza e djem, të gjithë duhet të japim maksimumin tonë. Këtë e presin të gjithë. Le t’i bëjmë krenar duke punuar e forcuar shtetin. Ne si kabinet qeveritar jemi vetëm instrument në realizimin e këtyre qëllimeve”, ka thënë ai.

Kuti ka thënë se Kosova ka arritur shumë si shtet e shoqëri për 18-vjet. Ai ka përmendur forcimin e ligjit, ekonominë, fitoret ndërkombëtare në sport, art e kulturë, lëvizjen pa viza e edhe aplikimin në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

No description available.

Krerët shtetërorë kujtojnë ata që dhanë jetën për lirinë e vendit

1 o. më parë / 17 shk 2026 07:09
ngritja e flamurit

Photo: Driton Paçarada

Me ceremoni shtetërore është ngritur flamuri i Republikës së Kosovës në oborrin e ndërtesës së Qeverisë, në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë.

Të pranishëm ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me kabinetin e tij dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Ajo ka thënë se është një ditë ku të gjithë bëhen bashkë për të festuar e edhe për t’i nderuar ata që dhanë jetën.

“Sakrifica ka qenë shekullore, kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka që sot ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Shprehim respektin e thellë për presidentin historik Ibrahim Rugova, sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë ata që dhanë jetën që ne ta gëzojmë shtetin tonë”, ka thënë ajo.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se sot e edhe çdo ditë tjetër kujtohen me nderim të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësi.

“Sot nderojmë edhe figurat e larta që kontribuuan në rrethana të ndryshme. Pavarësinë e nderojmë nëse punojmë me institucionet funksionale”, ka thënë ajo.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova po rritet.

Sipas tij, po rritet numri i njohjeve të shtetësisë, fuqia e shtetit e edhe ekonomia e vendit.

“Para 18 vjetëve lindi pavarësia e Kosovës por lindi e pjekur sepse shumë gjenerata sakrifikuan që ne të jemi të lirë e të pavarur. Gëzuar pavarësia dhe kremtofshim të gjithë bashkë për jetë e mot”, ka thënë ai.

Ngritja e flamurit ka qenë pikënisja e aktiviteteve të cilat do të mbahen sot gjatë ditës për të shënuar përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

No description available.
No description available.