LAJMET E MBRËMJES

Shefi i AKI-së raporton para tre deputetëve opozitarë

Në atmosferë tensioni ka nisur mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, gjatë së cilës ka raportuar drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti. Ai raportoi para tre deputetëve opozitarë, meqë anëtarët e komisionit që u përkasin partisë në pushtet lëshuan sallën. Kryetarja e Komisionit, Ganimete Musliu, tha se Ajeti u ftua për të raportuar mbi deklarimet se zyrtarë të këtij institucioni po përcjellin e përgjojnë gazetarë si dhe për ndikimin e Dejona Mihalit në institucione

Ndonëse për raportim u thirr drejtori i Agjencisë së Inteligjencës (AKI), Petrit Ajeti, në mbledhjen e Komisionit që mbikëqyr AKI-në rolin e protagonistit e morën deputetët të mërkurën.
Salih Zyba dhe deputetë të tjerë të Vetëvendosjes, që janë anëtarë të këtij komisioni, vlerësuan se thirrja e mbledhjes u bë në mënyrë jo të rregullt nga kryetarja Ganimete Musliu, e cila është deputete e subjektit më të madh në opozitë, Partisë Demokratike.

Në mes mospajtimesh, deputetët e subjektit në pushtet e lëshuan sallën. 

Në mbledhje mbetën vetëm Musliu, deputeti i Lidhjes Demokratike, Arben Gashi, si dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha.

Me pajtimin e drejtorit Ajeti, mbledhja u mbajt e mbyllur.

Derisa brenda sallës drejtori i AKI-së raportonte para tre deputetëve opozitarë, në korridor, ligjvënësit që braktisën mbledhjen mbajtën konferencë për media dhe theksuan se nuk janë njoftuar për arsyet e thirrjes së Ajetit për raportim.

“E ka ftuar drejtorin e agjencionit, pa e ditur ne si deputetë se cilat janë pyetjet dhe kërkesat. Do të thotë, ftesa për drejtorin, prezenca e tij këtu, ne konsiderojmë përgjigjen e tij në bazë të rregullores për procedim, por mbarëvajtja dhe tendencat e opozitës, individëve, më mirë të themi, në veçanti, nuk është pranueshme për përgjegjësitë që i kemi si anëtarë të këtij komisioni”, ka thënë Salih Zyba, deputet i LVV-së.

E deputeti tjetër i kësaj partie, Arbër Rexhaj e kritikoi edhe drejtorin Ajeti.

“Është thirr qëllimisht e jashtëzakonshme për të krijuar drama të cilat, ditët në vazhdimin do të shihni se do të keqpërdoren. Tash, drejtori i AKI-së qëndroi brenda, ai nuk ka të drejt të qëndrojë brenda sepse mbledhja nuk filloi”, ka thënë ai.

Pas përfundimit të mbledhjes, mediave iu adresua kryetarja e komisionit. Musliu tha se mbledhja është thirrur në mënyrë të rregullt dhe tregoi arsyet se pse është ftuar në raportim drejtori Ajeti.

“Që të raportoj lidhur me deklarimet e disa mediave për përfshirjen e zyrtarëve të AKI-së në përgjime dhe përcjellje të disa gazetarëve, si dhe për publikimin e mesazheve telefonike të Dejona Mihalit me persona që drejtojnë institucione të rëndësishme në vend, ku dyshohet ndërhyrja e saj në vendimmarrje”, ka thënë Musliu.

Musliu tha se në komision u inkurajua drejtori Ajeti që ta ruajë integritetin dhe kredibilitetin e AKI-së dhe është theksuar se liria e mediave është një element thelbësor i demokracisë.