Qytetarë të Rugovës së Pejës kanë protestuar të premten para Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të kundërshtuar vendimin për ndalimin e mallrave dhe shërbimeve ndërtimore në Rugovë. Ata janë ankuar se ky vendim e dëmton zhvillimin ekonomik të kësaj treve
Të indinjuar nga një vendim që e konsiderojnë diskriminues, qytetarët e zonës së Rugovës së Pejës, kanë kërkuar nga ministrja në detyrë e mjedisit, Fitore Pacolli, që ta anulojë vendimin e datës 26 mars, me të cilin ndalohet rreptësishtë ndërtimi brenda zonës së parkut në Bjeshkët e Nemuna.
Në emër të protestuesve, Agron Nikqi tha se banorët e Rugovës nuk do të heqin dorë nga e drejta për të jetuar dhe zhvilluar pronat e tyre, dhe e ka cilësuar vendimin si diskriminues dhe të padrejtë ndaj komunitetit lokal.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ne si qytetarë të asaj zone, 100 herë kemi kundërshtuar edhe ligjin e Parkut, edhe vendimet rreth tij, edhe Planin Hapësinor, i cili na ka cunguar dhe na ka përgjysmuar hapësirat tona lëvizëse dhe monitoruese në trevën e Rugovës”, ka thënë Nikqi.
Një nga organizatorët e protestës, Flamur Rexhbogaj, deklaroi se banorët përballen me vendime që, sipas tij, po i trajtojnë si të huaj në tokat e tyre dhe po pengojnë zhvillimin e Rugovës.
“Sot nuk po përballemi thjesht me një letër zyrtare të nënshkruar në zyrat e ngrohta sipër nesh, por po përballemi me një thikë pas shpine që i bëhet secilit prej nesh, secilit malësor që me shekuj i mbajti gjallë këto bjeshkë me gjak, me djersë dhe me rreziqe jetike. Ai vendim që keni përpara, ai urdhër skandaloz për ngritje postblloqesh kontrolli, për sekuestrim mjetesh, për ndjekje penale dhe për trajtimin e banorëve autoktonë si kriminelë në tokën e tyre, është një akt izolimi, një dëbim i heshtur modern dhe një fyerje e rëndë për dinjitetin tonë”, ka thënë Rexhbogaj.
E, ministrja Pacolli, në konferencë për media pas protestës së banorëve të Rugovës tha se kërkesat e protestuesve janë dëgjuar dhe se ministria ka ofruar zgjidhje për problemet e krijuara nga mungesa e planeve rregulluese për zonën. Ajo gjithashtu kritikoi komunën e Pejës.
“Kur kam ardhur unë në Ministri, e kam analizuar dhe kam parë që Komuna e Pejës, nuk e ka hartuar planin rregullues. Pra, prej vitit 2022, kur Komuna e Pejës e ka pasur të drejtën dhe obligimin ta bëjë planin rregullues për zonën e Bjeshkëve të Nemuna, ajo nuk e ka bërë këtë plan. Dhe rrjedhimisht, qytetarët edhe sot, janë pa të drejta ligjore që u takon edhe jua garanton Kushtetuta, që në mënyrë të drejtë dhe në përputhje me ligjin, të ndërtojnë në trevat e tyre”, ka thënë ajo.
Pacolli deklaroi se ekzistojnë vendime të prera të gjykatave për rrënimin e objekteve në parqet kombëtare dhe se kjo situatë është rezultat i mungesës së veprimit institucional nga Komuna e Pejës.
Ajo ka theksuar se vendimi për ndalimin e përkohshëm është marrë për të parandaluar ndërtimet e paligjshme derisa të përfundojnë procedurat administrative dhe të hartohet plani rregullues për zonën e Bjeshkëve të Nemuna.
“Komuna e Pejës, si zakonisht, kryetari aktual i Pejës, i ka mbyllur veshët, edhe nuk ka dashur as me dëgju, edhe siç e patë që jashtë, ai edhe i ka organizuar disa, sepse aty në protestë patë qytetarë që ju kanë mohuar të drejta me ndërtu me vite e vite të tëra. E shumë prej tyre që kanë ndërtuar, frikësohen edhe natën se mos po u shkon ndonjë institucion t’ia rrënojnë. E unë me këtë vendim, unë është dashur me ndalë këtë problematikë. Se nuk mundem me leju që brenda mandatit tim, me u ndërtu në mënyrë joligjore e mos me bë asnjë hap për me ua rregullu mundësinë, me ua dhënë të drejtën qytetarëve me ndërtu në mënyrë të ligjshme”, ka thënë Pacolli.
Ministrja në detyrë paraprakisht është përballur edhe me protestues, të cilët i kanë folur me zë të lartë dhe e kanë akuzuar për vendimin.