Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ministren e Mjedisit, Fitore Pacolli, për vendimin që ndalon çdo lloj aktiviteti ndërtimor pa leje në Paqet Kombëtare, rrjedhimisht ndalimin e qarkullimit për të gjitha mjetet që bartin material ndërtimor, mjetet e rënda të punës dhe makineritë e specializuara për ndërtim.
Haradinaj ka thënë se ky vendim i Pacollit tregon shkëputjen e qeverisë aktuale nga realiteti i qytetarëve të Kosovës. Ka shtuar se në vend që Bjeshkët e Nemuna të mbështeten me investime në rrugë e zhvillim të qëndrueshëm, tani po përballet me vendime që rrezikojnë ta izolojnë dhe mbysin çdo mundësi zhvillimi.
“Vendimi i ministres në detyrë, Fitore Pacolli, për të ndaluar transportin e materialeve ndërtimore në Bjeshkët e Nemuna, me arsyetimin e mbrojtjes së ekosistemit, është një shembull i qartë i një qasjeje të paditur dhe të shkëputur nga realiteti. Pa e njohur terrenin, pa e kuptuar jetën e njerëzve që jetojnë atje dhe pa ndjerë vështirësitë e tyre, po merren vendime që godasin drejtpërdrejt familjet, fshatrat dhe ekonominë lokale. Rugova dhe Bjeshkët e Nemuna nuk janë thjesht një zonë natyrore në hartë, ato janë zona të banuara me 13 fshatra, ku njerëzit jetojnë, ndërtojnë, punojnë dhe përpiqen të zhvillojnë ekonominë e tyre në kushte tashmë të vështira infrastrukturore”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Pacolli ditë më parë pati marrë vendimin duke ndaluar rreptësisht çdo lloj aktiviteti ndërtimor pa leje brenda Parqeve Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri” në Kosovë. Me këtë vendim ndalohet qarkullimi për të gjitha mjetet e transportit që bartin material ndërtimor, mjetet e rënda të punës dhe makineritë e specializuara për ndërtim, brenda zonave të Parqeve Kombëtare në Republikën e Kosovës, pa leje apo autorizim të posaçëm lëshuar nga MMPH-ja.
-
Qytetarët e Rugovës protestojnë kundër vendimit që ndalon ndërtimin në park
-
Banorë të Rugovës protestojnë kundër ndalimit të aktiviteteve ndërtimore
-
Pacolli kërkon reagimin e ndërkombëtarëve pas deklaratave të Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit
-
Pacolli e quan opozitën “të shkretë”: Po rreshtohen në të njëjtën linjë me Listën Serbe
-
Ministria e Mjedisit ua shkëput kontratat edhe 9 zyrtarëve serbë shkaku i mosparaqitjes në punë