Pasojat e krizës institucionale janë duke i ndier punonjësit e RTK-së. Ata kanë mbetur pa paga, meqë në mungesë të konstituimit të Kuvendit nuk është rialokuar buxheti për gjysmën e dytë të vitit. Punëtorët protestuan dhe kërcënuan me grevë e mosraportim për ngjarje nëse nuk veprohet shpejt
Punonjës të Radiotelevizionit të Kosovës kanë protestuar të mërkurën para objektit të Kuvendit dhe Qeverisë, në shenjë pakënaqësie për mosekzekutimin e pagave të muajit korrik.
Gjatë protestës, ata kanë shprehur shqetësimet edhe përmes pankartave me mesazhe si “Gazetar pa pagë – demokraci pa zë”.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, ka theksuar se mungesa e pagave i ka futur mbi 700 punëtorët e transmetuesit publik në vështirësi serioze ekonomike.
“Sot mbi 700 familje kanë mbetur pa paga dhe në kushte të vështira ekonomike nën barrën e kredive dhe kostove të larta të jetesës. Kjo protestë është vetëm për mbrojtjen e RTK-së si medium publik, për të drejtat e punëtorëve dhe pa asnjë ngjyrim politik”, ka thënë Bimbashi.
Bimbashi ka listuar edhe kërkesat drejtuar institucioneve.
“Kërkojmë alokimin e menjëhershëm të buxhetit, kompletimin e Bordit të RTK-së nga Kuvendi i ri, si dhe shpalljen e konkursit për drejtor të përgjithshëm, me respektim të plotë të procedurave ligjore”, ka thënë ai.
Bazuar në ligj, buxheti për transmetuesin publik rialokohet pas muajit të 6 të vitit. Kjo bëhet me kërkesë të Komisionit parlamentar për buxhet, por ai është jofunksional, meqë përbërja e re e Kuvendit nuk është konstituuar.
Në mbështetje të punonjësve të RTK-së ka dalë edhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha.
Ai ka thënë se kjo krizë ishte e shmangshme dhe ka paralajmëruar për rrezikun që përfaqëson për lirinë e medias mosfunksionimi i RTK-së.
“Thirrja e AGK-së është e qartë dhe i drejtohet ekzekutivit: të ndahet buxheti për gjashtëmujorin e dytë të vitit, që punëtorët e RTK-së të mund ta kryejnë punën pa pengesa, pa presion financiar dhe politik”, ka thënë Rexha.
Sindikalistë të punëtorëve të RTK-së kanë thënë se nëse nuk merren masa nga Qeveria, nuk e përjashtojnë mundësinë e grevës dhe bojkotimit të ngjarjeve.