Përfaqësues sindikalë të punëtorëve të RTK-së kanë paralajmëruar protestë nëse buxheti i televizionit publik mbetet i bllokuar si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit. Ata thanë se pasojat e ngërçit në Kuvend janë duke i vuajtur mbi 700 punëtorët e RTK-së
Sindikata e punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës ka paralajmëruar protestë për javën e parë të gushtit, nëse deri më datën 5 nuk ekzekutohen pagat e punëtorëve.
Në një konferencë për media kryetari i sindikatës, Gëzim Bimbashi, tha se pasojat e moskonstitumit të Kuvendit po i vuajnë edhe punëtorët e RTK-së.
“RTK-ja, si shërbim publik, ka detyrim kushtetues dhe ligjor për t’i informuar qytetarët në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Mungesa e buxhetit po e vë në pikëpyetje këtë mision themelor. Si pasojë e moskonstituimit dhe mosveprimit, RTK-ja është bllokuar. Megjithatë, duhet ta themi qartë se nga ky bllokim nuk mbesin pa paga deputetët dhe zyrtarët shtetërorë, por punëtorët e RTK-së, të cilët, edhe pse e kanë buxhetin të ndarë me ligj, nuk po mund t’i marrin pagat e tyre. Nëse kjo gjendje vazhdon, mbesin mbi 700 punëtorë pa paga, bllokohet programi dhe rrezikohet seriozisht informimi i publikut”, ka thënë Bimbashi.
Ai tha se nëse nuk alokohen mjetet buxhetore do të rrezikohet funksionimi i televizionit publik, meqë mbi 700 punëtorë mbeten pa paga.
“SPERTK pret nga institucionet shtetërore afatin deri më datë 5 gusht që të alokojnë mjetet sipas obligimeve ligjore. Nëse deri atëherë nuk ndërmerren hapa konkretë, më datë 6 gusht SPERTK do të organizojë protestën e parë, si paralajmërim për veprime te mëtejshme, deri në grevë të përgjithshme”, ka thënë Bimbashi. “Kërkojmë që të veprohet me të njëjtën përgjegjësi edhe sot. SPERTK u bën thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve që të mos e përdorin RTK-në për interesa politike, por ta mbrojnë atë si pronë publike dhe si një ndër shtyllat e demokracisë”.
E nënkryetari i sindikatës, Fisnik Dërguti, bëri të ditur se shqetësimet e punëtorëve i janë shprehur edhe tek Avokati i Popullit.