LAJMET E MBRËMJES

Punëtorët e RTK-së paralajmërojnë edhe bojkotimin e fushatës

rtk-protesta

Kriza me buxhetin ka përfshirë prej dy muajsh transmetuesin publik. Meqë ende nuk janë ekzekutuar pagat e tetorit, punonjës të RTK-së bënë grevë dyorëshe dhe paralajmëruan bojkotimin e fushatës

Punëtorët e transmetuesit publik bënë grevë dyorëshe të hënën, pasi ende nuk i kanë marrë pagat e tetorit. Për pasojë, nuk u transmetua edicioni i lajmeve të orës 13:00.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, kërkoi veprime nga institucionet, në mënyrë që të sigurohen pagat.

“Po hyjmë në muajin e dytë pa asnjë sinjal nga askush. Injorimi i kërkesave tona na ka sjellë deri këtu. U kemi bërë thirrje institucioneve fillimisht Kuvendit, por ai u shpërnda. Tani po kërkojmë nga Qeveria, nga kryeministri Kurti. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, sepse ekzistojnë zgjidhje”, ka thënë Bimbashi. “Gjatë kësaj kohe kam takuar avokatë dhe njohës të ligjit, të cilët më kanë prezantuar format ligjore që Qeveria e Republikës së Kosovës mund t’i ndërmarrë shpejt dhe pa shkelur ligjin. Prandaj, gjithçka varet nga vullneti i Qeverisë dhe i kryeministrit Kurti”.

E, menaxhmentit të RTK-së i është kërkuar që nëse nuk merr zgjidhje çështja e pagave, të vendoset që të mos mbulohet fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme më 28 dhjetor, dhe as ngjarjet e karakterit politik.

Mbështetje për masa të këtilla, punonjësit morën nga kryetari i Asociacionit të Gazetarëve, Xhemajl Rexha.

“Ne përkrahim grevën e sotme dhe masat e tjera që mund të ndërmerren në të ardhmen, përfshirë edhe bojkotimin e fushatës zgjedhore, që do të ishte hapi minimal. Si AGK, e përsërisim se ekziston vetëm një adresë – Qeveria e Kosovës, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati – të cilët kanë mundësi të ndërmarrin hapa”, ka thënë Rexha.

Gjatë ditës është publikuar edhe përgjigjja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, drejtuar organizatave të mediave që kërkuan zgjidhje për situatën në RTK.

Në të thuhet se opozita ka refuzuar formimin e komisioneve parlamentare, dhe për këtë arsye nuk ekziston asnjë komision që mund të marrë vendimet e nevojshme, që mundësojnë alokimin e buxhetit për RTK-në. Sipas Kurtit, ekzekutivi nuk mund t’i zëvendësojë këto komisione në mënyrë ligjore.