Arbëri

Punëtorët e RTK-së nga e hëna në grevë dyorëshe çdo ditë

RTK

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka njoftuar se nga e hëna do të nisë greva e përgjithshme në Radio Televizionin e Kosovës, e cila do të zhvillohet çdo ditë nga ora 11:00 deri në 13:00.

Gjatë këtyre dy orëve do të ndërpritet puna në të gjitha sektorët, përfshirë redaksinë, administratën, financat, arkivin, teknikën, produksionin dhe njësitë tjera mbështetëse. Greva do të përfshijë të gjithë punonjësit, pa përjashtim.

Sindikata thotë se kjo masë vjen pas një periudhe të gjatë kërkesash të injoruara dhe një gjendjeje të paqëndrueshme që, sipas tyre, rrezikon funksionimin e institucionit. Ata theksojnë se pagat mbeten të bllokuara dhe se vazhdimësia e RTK-së është vënë seriozisht në rrezik.

SPERTK kërkon nga menaxhmenti i RTK-së të marrë vendim të qartë për mosmbulimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme më 28 dhjetor, duke paralajmëruar se nëse nuk merret një qëndrim i tillë, sindikata do të thërrasë bojkot të plotë të zgjedhjeve nga ana e stafit.

Përveç grevës ditore, sindikata paralajmëron edhe një protestë në shesh, para Qeverisë, e cila do të njoftohet së shpejti. Sipas SPERTK-së, situata në RTK “ka kaluar çdo kufi të durimit” dhe kërkohet ndërhyrje urgjente e institucioneve.

Sindikata u bën thirrje punonjësve të qëndrojnë të bashkuar, ndërsa kërkon nga Qeveria dhe Ministria e Financave të marrin menjëherë vendimet e nevojshme për zhbllokimin e pagave dhe rikthimin e funksionimit normal të medias publike.

“Nëse për zgjedhje gjenden mjete, duhet të gjenden edhe për RTK-në. Media publike nuk mund të lihet në kolaps”, thuhet në njoftimin e SPERTK-së.

Punëtorët e RTK-së kanë mbetur pa paga pasi Kuvendi nuk e ka miratuar raportin vjetor.