Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Të akuzuarit për sulmin në Ibër-Lepenc deklarohen sërish të pafajshëm

Sulmi Iber -Lepenc

Foto: Driton Paçarada

Të akuzuarit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, janë deklaruar sërish të pafajshëm për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin Special, është mbajtur seanca e radhës me përbërje të re të trupit gjykues, pas pensionimit të gjyqtarit Vesel Ismaili.

Kryetar i trupit gjykues tash është gjyqtari Leon Përlska, ndërsa anëtarë janë Lutfi Shala, i cili është anëtar i ri i trupit gjykues, dhe Kujtim Krasniqi.

Palët kanë vlerësuar se nuk ka nevojë që aktakuza të lexohet sërish, ndërsa të tre të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm edhe në këtë seancë.

Më pas, procedura ka vazhduar me fjalët hyrëse. 

Edhe Rasti “Ibër Lepenc” - prokurorit i shfaqet një “urgjencë”, kryegjyqtari në nëntor del në pension LAJMET E MBRËMJES Rasti “Ibër Lepenc” - prokurorit i shfaqet një “urgjencë”, kryegjyqtari në nëntor del në pension

Prokurori Bekim Kodraliu ka deklaruar se mbetet prapa fjalës hyrëse të dhënë më herët, ndërsa të njëjtin qëndrim e kanë mbajtur edhe palët e tjera, duke iu referuar fjalëve hyrëse të dhëna më 9 korrik.

Deri tash, Gjykata i ka dëgjuar disa dëshmitarë. Meqenëse trupi gjykues është ndryshuar, gjykimi ka filluar rishtazi. Megjithatë, ligji lejon që, për të evituar përsëritjen e dhënies së dëshmive, ato të lexohen dhe të konsiderohen të dhëna.

Mbrojtja, njëzëri, u pajtua që të veprohet në këtë formë. Për këtë, Gjykata mori aktvendim që deklaratat e Ernest Kërçelit, Fatmir Ademit, Astrit Amës, Milena Bashareviq-Lazareviq, si dhe të dëshmitares Tijana Viqentijeviq, të konsiderohen të lexuara.

Veç kësaj, deklarata e Tijana Viqentijeviqit do të konsiderohet e lexuar vetëm në pjesën që është dhënë, pasi ajo nuk e ka përfunduar në tërësi dëshminë e saj dhe marrja e pjesës së mbetur të dëshmisë do të vazhdojë.

Sipas gjyqtarit Leon Përlaska, për këtë seancë nuk është thirrur ndonjë dëshmitar, por ai ka rikujtuar se në seancat e kaluara janë aprovuar disa propozime për dëshmitarë nga ana e mbrojtjes.

“Gjykata njofton palët se në seancën e radhës do të vazhdohet me dëshminë e dëshmitares Tijana Viqentijeviq dhe me dëshmitarët sipas radhës”, ka thënë Përlaska.

Edhe Të akuzuarit për sulmin në Ibër-Lepenc deklarohen të pafajshëm, Prokuroria: Serbia kishte rol kyç Arbëri Të akuzuarit për sulmin në Ibër-Lepenc deklarohen të pafajshëm, Prokuroria: Serbia kishte rol kyç

I akuzuari Igor Dimoviq nuk është në paraburgim, ndryshe nga vëllezërit Viqentijeviq.

Shpërthimin në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” në fshatin Varagë të Zubin-Potokut në nëntor të vitit 2024, i cili dyshohet se u bë me rreth 20 kilogramë eksplozivë, autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si sulm terrorist, kurse Serbinë e kanë bërë përgjegjëse për të.