Tre të akuzuarit për sulmin terrorist të nëntorit të 2024-tës në kanalin e “Ibër-Lepencit” në Varagë të Zubin-Potokut, janë deklaruar të pafajshëm para gjykatës, në seancën e shqyrtimit fillestar. Sipas aktakuzës së Prokurorisë në këtë sulm, ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, i është shkaktuar një dëm prej afër 400 mijë eurosh.
Të pafajshëm janë deklaruar Jovan dhe Dragisha Viçentijeviq, e Igor Dimoviq të akuzuar për sulmin terrorist në kanalin e “Ibër-Lepencit” në Varagë të Zubin-Potokut, në nëntor të 2024-tës.
Sipas Prokurorisë Speciale, dy vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq akuzohen për veprat penale “rrezikim i rendit kushtetues”, “kryerje e veprës terroriste” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Për akuzën e fundit akuzohet edhe i pandehuri Igor Dimoviq.
Deklarimin rreth fajësisë të akuzuarit e bënë, pasi prokurori special Bekim Kodraliu e lexoi aktakuzën.
Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, dy vëllezërit Viçentijeviq bashkë me persona të tjerë të panjohur e kanë vendosur rreth 20 kilogram të eksplozivit të llojit Trinitrotoluene (TNI) që shërben për përdorim ushtarak, në brendësi të kanalit.
“E kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike, furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, përmes një fitili zjarrpërcjellës e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm, që si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit”, ka thënë prokurori special Bekim Kodraliu.
Dy vëllezërit Viçentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës në shtëpitë e tyre, njëra në Zubin-Potok, dhe tjetra në fshatin Prevllak, të po kësaj komune, është gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.
Për veprën penale “Armëmbajtje pa leje” akuzohet edhe Igor Dimoviq, ku gjatë kontrollit nga ana e Policisë në shtëpinë e tij janë gjetur armë dhe disa uniforma ushtarake.
I akuzuari Jovan Viçentijeviq akuzohet edhe për spiunazh.
“Edhe një dokument i klasifikuar si konfidencial prej 66 faqesh, i përpiluar nga KFOR-i, për nevojat e operacioneve të tyre në terren, pastaj ka bërë vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it, ka fotografuar bazën e njësive speciale policore të Kosovës në Jasenovik”, ka deklaruar prokurori Kodraliu.
Ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, sipas aktakuzës, i është shkaktuar një dëm prej afro 400 mijë eurosh.
Vëllezërve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit u është gjetur baltë në çizme që përputhet për nga struktura, ngjyra dhe përbërja me atë që është gjetur në vendin ku është kryer sulmi terrorist me eksploziv.