Në seancën e së hënës ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc, Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, dëshmoi Tiana Viqentijeviq, mbesa e dy prej të akuzuarve. Pas një pjesë të dëshmisë së saj, seanca u ndërpre me kërkesë të prokurorit Armend Zenelaj, që në këtë seancë zëvendësoi prokurorin e rastit, Bekim Kodraliu. Data e re e seancës nuk është caktuar me arsyetimin e kryetarit të trupit gjykues se ai më 10 nëntor del në pension
Seanca ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, nisi të hënën me dëshminë e Tiana Viqentijeviqit, mbesës së dy prej të akuzuarve, por pas rreth një ore u ndërpre.
Si dëshmitar i propozuar nga mbrojtja e të akuzuarve u paraqit edhe Dejan Viqentijeviq, por ai nuk pati rastin të flasë, ndërsa dëshmitari i tretë i planifikuar, Trivon Bojeviq, mungoi.
Fillimisht, Tiana Viqentijeviq iu përgjigj pyetjeve të avokatit Nebojsha Vllajiq, mbrojtës i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq. Ajo tha se më 19 nëntor 2024, natën e sulmit, Jovani ka shkuar në Zubin-Potok rreth orës 18:10 dhe ka qëndruar deri rreth orës 19:00, për t’u përgatitur për punë, e cila, sipas saj, fillonte në orën 20:00.
“Jovanin atë ditë e kam parë duke shkuar në punë. Pra, është nisur për në punë, sepse në orët e pasdites vjen për t’u përgatitur dhe zakonisht shkon në punë”, ka deklaruar Viqentijeviq.
Pyetja e avokatit Vllajiq se “si ka mundësi që i kujtohet ajo ditë?”, u kundërshtua nga prokurori Armend Zenelaj, i cili në këtë seancë zëvendësoi prokurorin e rastit, Bekim Kodraliu.
Megjithatë, gjyqtari i lejoi dëshmitares të përgjigjej. Ajo tha se e mban mend atë ditë, pasi një ose dy ditë më vonë u arrestuan axhallarët e saj.
Edhe avokati i të akuzuarit Dragisha Viqentijeviq, Milosh Deleviq, parashtroi pyetje lidhur me ditën e sulmit dhe bastisjet në shtëpinë e të akuzuarit.
Tiana Viqentijeviq dëshmoi se axhën Dragisha Viqentijeviq, e ka parë pasditen e ditës së sulmit, por nuk i kujtohet ora e saktë.
Më pas, prokurori zëvendësues, Armend Zenelaj, kërkoi shtyrjen e seancës me arsyetimin se nuk është ai prokurori i rastit.
“Meqenëse nuk jam prokurori i rastit dhe prokurorit sot i ka dalë një urgjencë, kam ardhur për ta zëvendësuar me qëllim që seanca të mos shtyhet që në fillim. Andaj, propozoj që seanca e sotme të ndërpritet dhe të shtyhet për një datë tjetër”, ka arsyetuar Zenelaj.
Mbrojtja e kundërshtoi kërkesën e tij, por kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili e aprovoi atë.
E Ismaili tha se nuk mund të caktojë një datë të re, pasi më 10 nëntor del në pension.
Sipas Prokurorisë Speciale, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq dyshohen se kanë dëmtuar qëllimisht kanalin e Ibër Lepencit me eksplozivë, duke kryer kështu veprën penale të terrorizmit.
Për këtë rast akuzohet edhe Igor Dimoviq, i cili nuk ndodhet në paraburgim, ndryshe nga vëllezërit Viqentijeviq.
Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepenc në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, ndodhi në nëntor të vitit 2024. Sipas prokurorisë, në sulm u përdorën rreth 20 kilogramë eksplozivë.