Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nis me 40 minuta vonesë seanca ndaj të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit

iber lepenci

Ka nisur me mbi 40 minuta vonesë seanca gjyqësore ndaj Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviqit, të akuzuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit. Arsyeja e vonesës është thënë se ishte transporti i të akuzuarave. 

Dy dëshmitarë nga mbrojtja e të akuzuarve do të dëshmojnë sot. Bëhet fjalë për Tiana Viqentieviq dhe Dejan Viqentieviq, ndërkaq mungon dëshmitari i tretë, Teivon Bojeviq.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Jovan Viqentijeviq dyshohet se bashkë me vëllain e tij, Dragisha Viqentijeviq, me qëllim kanë dëmtuar pajisjen e ujësjellësit dhe kanë kryer veprën terroriste, duke përdorur eksploziv.

Për rastin ngarkohet edhe Igor Dimoviq, i cili nuk është në paraburgim si vëllezërit Viqentijeviq.

Shpërthimin në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” në fshatin Varagë të Zubin-Potokut në nëntor të vitit 2024, i cili dyshohet se u bë me rreth 20 kilogramë eksplozivë, autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si sulm terrorist, kurse Serbinë e kanë bërë përgjegjëse për të.