LAJMET E MBRËMJES

PSD-ja kritikon kryeministrin Kurti për shkelje të të drejtave të punëtorëve

Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion simbolik, të hënën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve. Aktivistë të kësaj partie joparlamentare, krijuan një ambient plazhi me çadra e ulëse, duke e kritikuar kryeministrin Kurti se pushon jo vetëm për festa, por gjatë 365 ditëve të vitit

Me ulëse e çadër plazhi para ndërtesës së Qeverisë, aktivistë të Partisë Socialdemokrate kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti për siç thanë, pushim vjetor të vazhdueshëm e mosrespektim të drejtave të punëtorëve.

Të hënën, me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, PSD-ja zhvilloi aksion simbolik në oborrin e Qeverisë së Kosovës.

Donjeta Demolli nga kjo parti, tha se qëllimi i ilustrimit me një ambient plazhi është bërë për ta treguar qasjen e kryeministrit Kurti ndaj punëtorëve. Sipas saj, kryeministri është në pushim jo vetëm në festa, por gjatë 365 ditëve të vitit.

“Në zyrën e Kryeministrit sot mirëmbajtësja e zyrës së tij paguhet veç 185 euro. Punëtorët e marketeve nuk pushojnë as në festa, as në fundjava e nuk gëzojnë me kërku pushim as kur janë sëmurë. Mjekët e infermierët punojnë në spitale ku pikë tavani e rojet e sigurisë punojnë në kabina 1 metër katror n‘zhegun e ftohtin ma t’madh”, ka theksuar ajo.

Demolli u shpreh se kryeministri nuk po punon për punëtorët, teksa shtoi se kryeinspektori i Inspektoratit të Punës është emëruar jashtëligjshëm.

“Ky kryeministër nuk është i vetëdijshëm sepse nuk i intereson se dispozitat e Ligjit të Punës po shkelen çdo ditë. Paga minimale prej 180 eurove nuk i mjafton punëtorit me kalu as gjysmën e muajit e ndërkaq paga mesatare në Kosovë është paga më e ulët në vendet e rajonit”, ka deklaruar Demolli.

Sipas pjesëtares së PSD-së, kryeministri po manipulon me shifra, duke thënë se janë rritur pagat në sektorin publik.

“Punëtori i Kosovës nuk është tu mujtë me ja dalë me këto kushte, dhjetëra e mijëra punëtorë janë tu u largu prej Kosovës dy vitet e fundit edhe më shumë kanë me vazhdu me u largu nëse nuk organizohen rezistencë”, është shprehur Demolli.

1 Maji është Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Kjo ditë në shumë vende të botës, zakonisht shënohet me protesta në kërkim të kushteve më të mira të punës.