Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Punëtorë të sektorit privat paralajmërojnë: “O drejtësi, o s’ka qetësi”

Protesta

Punëtorë të sektorit privat kanë protestuar në shenjë pakënaqësie për pagat dhe kushtet e punës. Ata kërkuan zbatim ligjesh dhe kritikuan institucionet për mosveprim.

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, punëtorë të sektorit privat protestuan për të shprehur pakënaqësitë me kushtet e punës.

Protestuesit u nisën nga Sheshi Zahir Pajaziti për të përfunduar pranë objektit të Qeverisë dhe Kuvendit dhe mbanë në duar pankarta me mesazhet “Mos na shkelni, mjaftë pritëm” dhe “Jemi lodhur! Qeveri – Parlament, të kujt jeni?”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Punëtori i sigurimit në Fakultetin Teknik, Blerim Rrustolli, tha se është i zhgënjyer me kushtet e punës, sidomos me pagën.

“I kënaqtë kurrqysh hiq, këta për veti janë të kënaqtë a na jo, na totalisht jo. 380 euro çka me bo, ku dalin, muji - ujin s’ma nzen. A me ju pagua fëmijëve kombin, a vetit, a me ble harxh për shpi, a çka… Paga minimale duhet me u kon 500 a 600 qaty se tjetër zgjidhje s’ka as me 200 as me 300 s’ka zgjidhje”, ka thënë Rrustolli.

Në emër të punëtorëve të sektorit privat, në protestë ka folur Raba Dushi, e cila tha se ata janë të lodhur nga padrejtësitë, pagat e ulëta dhe mungesa e sigurisë në punë.

“Ju e dini se me pagat që kemi mezi ia dalim nga muaji në muaj, shpenzimet po rriten çdo ditë… Qeveri mos na humb shpresën për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, të paktën mos i motivoni fëmijët tanë të largohen duke ndërtuar mbi punëtorin e shtypur, ligjet që nuk zbatohen nuk vlejnë, o drejtësi o s’ka qetësi”, ka thënë Dushi.

E kryetari i Sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemi ka drejtuar kritika ndaj institucioneve, duke thënë se ato nuk kanë përmbushur përgjegjësitë ndaj punëtorëve.

“Ata njerëz që i kemi brenda këtyre godinave i nderuari Adem dhe Zahir nuk po ua kryejnë amanetin e juaj ashtu si duhet. I nderuari Adem Jashari, i nderuari Zahir Pajaziti ne po skllavërohemi nga njerëzit tanë. Ne sot po marrim pagë 239 euro”, ka thënë Azemi.

Punëtorë të sektorit privat janë ankuar vazhdimisht për mungesë kushtesh në punë dhe për mospërmbushje kontratash.