Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve shënohet me protestë dhe me festë në Kosovë

protesta

Foto: EO

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, punëtorë të sektorit privat kanë protestuar për të shprehur pakënaqësitë me kushtet e punës.

Protestuesit janë nisur nga Sheshi Zahir Pajaziti në Prishtinë për të përfunduar pranë objektit të Qeverisë dhe të Kuvendit ndërsa kanë mbajtur në duar pankarta me mesazhet: “Mos na shkelni, mjaftë pritëm” dhe “Jemi lodhur! Qeveri – Parlament, të kujt jeni?”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Punëtori i sigurimit në Fakultetin Teknik, Blerim Rrustolli, është shprehur i zhgënjyer me kushtet e punës, sidomos me pagën.

“I kënaqtë kurrqysh hiq, këta për veti janë të kënaqtë a na jo, na totalisht jo. 380 euro çka me bo, ku dalin, muji - ujin s’ma nzen. A me ju pagua fëmijëve kombin, a vetit, a me ble harxh për shpi, a çka… Paga minimale duhet me u kon 500 a 600 qaty se tjetër zgjidhje s’ka as me 200 as me 300 s’ka zgjidhje”, ka thënë Rrustolli.

Kritika institucioneve

Në emër të punëtorëve të sektorit privat, në protestë ka folur, Raba Dushi, e cila ka thënë se ata janë të lodhur nga padrejtësitë, pagat e ulëta dhe mungesa e sigurisë në punë.

“Ju e dini se me pagat që kemi mezi ia dalim nga muaji në muaj, shpenzimet po rriten çdo ditë… Qeveri mos na humb shpresën për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, të paktën mos i motivoni fëmijët tanë të largohen duke ndërtuar mbi punëtorin e shtypur, ligjet që nuk zbatohen nuk vlejnë, o drejtësi o s’ka qetësi”, është shprehur ajo.

E kryetari i Sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemi, ka drejtuar kritika ndaj institucioneve, duke thënë se ato nuk i kanë përmbushur përgjegjësitë ndaj punëtorëve.

“Ata njerëz që i kemi brenda këtyre godinave i nderuari Adem dhe Zahir nuk po ua kryejnë amanetin e juaj ashtu si duhet. I nderuari Adem Jashari, i nderuari Zahir Pajaziti ne po skllavërohemi nga njerëzit tanë. Ne sot po marrim pagë 239 euro”, ka thënë ai.

Punëtorë të sektorit privat janë ankuar vazhdimisht për mungesë të kushteve në punë dhe për mospërmbushje të kontratave.

Festë në Gërmi

Me gjithë protestat në sheshet e kryeqyteti, disa kilometra larg tyre, në Parku e Gërmisë edhe këtë vit shumë qytetarë kanë zgjedhur që të festojnë për 1 Maj. Por, edhe aty, disa prej qytetarëve kanë shprehur pakënaqësi për të drejtat e punëtorëve.

“Na është dashur me dal me protestu për të drejtat e punëtoreve se sot p.sh. i ki në ndërtimtari, se kam punuar një kohë në ndërtimtari edhe nuk i kanë kushtet e plota për me punu punëtori në atë nivel ku punon. Ndodh që njëri e humb jetën në vend pune edhe kryhet ai muhabet ... jo ke skelja kështu, jo u bo qekjo, gjenden arsyetimet. Është dashur me i pas të drejtat si punëtori privat, si punëtori në punë të shtetit”, ka thënë qytetari Shaban Raqi.

Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe qytetari tjetër, Sali Berisha.

“Sigurimi në punë nuk ka, të drejtat e punës.. nashta në sektorin publik respektohen, në privat nuk është në rregull kërkund hiq”, ka theksuar ai.

Megjithëkëtë, ka edhe qytetarë që këtë ditë e kanë parë si simbolikë për të kujtuar të kaluarën dhe përparimin në të drejtat e punëtorëve.

“Për nder të atyre kohërave të vjetra ku nuk kanë pasur të drejtë punëtorët, nuk janë shpërblye, në shumë vende janë trajtuar si skllav dhe tani ato janë tejkalu”, ka thënë qytetari Hasan Bunjaku.

Është kthyer në rutinë që pushimin për 1 muaj, qytetarët ta shfrytëzojnë për ta kaluar me të afërm. Një nga vendet më të frekuentuara në këtë ditë është Parku i Gërmisë.