Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ndërtimtaria, një ndër sektorët më të rrezikshëm për punëtorët

punëtor - Ilustrim

KOHA/Ilustrim

Në katër muajt e parë të vitit, dhjetë punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë. Pas kësaj, ka nisur një aksion i gjerë inspektimi. Kryetari i Sindikatës Trepça ka kërkuar që aksioni të zgjerohet edhe në ndërmarrjet shtetërore

Në 14 vend punishte të ndërtimtarisë janë ndaluar punimet vetëm gjatë 48 orëve të fundit, ka njoftuar Inspektorati Qendror i Punës, pasi që në këto mjedise nuk janë përmbushur kërkesat ligjore për masat mbrojtëse.

Sipas këtij inspektorati, nga 32 inspektime të cilat janë kryer, katër prej tyre janë proceduar në Polici, ndërsa në 21 vende janë shqiptuar vërejtje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në këtë 48-orësh fokus i Inspektimit ka qenë sektori i ndërtimtarisë andaj edhe realizimi i inspektimeve është bërë në 100% në këtë sektor. Në përfundim të Aksionit të gjitha subjektet që kanë rezultuar me ndalim të punimeve me automatizëm procesohen në Gjykatat për kundërvajtje përkitazi me shkeljet e konstatuara”, kanë bërë të ditur në Inspektoratin Qendror të Punës.

Muajin e kaluar, ministri për Punë, Andin Hoti, ka marrë vendim për aksion të jashtëzakonshëm të inspektimeve në vend punishte.

E vetëm brenda katër muajve të parë të këtij viti, dhjetë persona kanë humbur jetën në vendin e punës.

Brikena Hoxha, e cila është drejtoreshë e iniciativës qytetare për stabilitet, ka kërkuar që të ketë më shumë inspektime, për ata që nuk i zbatojnë rregullat në sektorin e ndërtimtarisë.

“Sektori i ndërtimtarisë është një ndër sektorët kryesisht me rrezikshmëri të lartë, për shkak të punës dhe bën që siguria të jetë në nivelin më të ulët. Inspektorati i Punës, mirë po që po i bën këto inspektime, duhet të ketë më shumë inspektime, më shumë dënime, ndëshkime, për gjithë ata që nuk i zbatojnë rregullat”, ka thënë Hoxha në emisionin “60 Minuta” të KTV-së.

Më shumë siguri në punë është kërkuar edhe në protestat e organizuara në kryeqytet, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Përfaqësuesja e punëtorëve të sektorit privat, Raba Dushi, ka thënë se punëtorët vazhdojnë të punojnë në kushte të rrezikshme.

“Punëtorët që punojnë në ambiente të rrezikshme nuk kanë kurrfarë sigurie. Çdo ditë dëgjojmë raste të vdekjeve askush nga institucionet nuk po vepron, por ne nuk duhet të ndalemi”, është shprehur ajo

Brenga janë shprehur edhe për rrezikshmëri në ndërmarrje publike.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës”, Ibrahim Januzi, ka kërkuar që inspektime të bëhen edhe në këto ndërmarrje.

“Inspektorati i Punës po fillon m’i trajtu disa raste me seriozitet në sektorin e ndërtimtarisë, për shkak që po e shohim shumë humbje të jetëve të punëtorëve. Mirëpo, mendoj që është një diskriminim në raport, do të ishte mirë të bëhej inspektime nga ndërmarrjet publike, aty ku dora e shtetit është evidente, do të ishte shembull edhe te sektori privat që si do të respektoheshin të drejtat e punëtorëve. Por te Trepça nuk ka një trajtim të tillë”, ka theksuar ai.

Të mërkurën është shënuar rasti i fundit i vdekjes në vendin e punës. Një qytetar ka vdekur në fshatin Gllaviçicë të Pejës, pas lëndimeve që i ka pësuar derisa ka qenë duke punuar.