Sindikata e Minatorëve të Trepçës ka shprehur shqetësimin për gjendjen e sigurisë në Trepçë pasi të mërkurën 63 minatorë mbetëm për disa orë të ngujuar si pasojë e një defekti me energjinë elektrike.
Në një reagim Sindikata kë kërkuar hetim të rastit, vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve si dhe investime në sigurinë e minatorëve.
“Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse hetim të plotë dhe transparent të rastit, përcaktimin e përgjegjësive dhe vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve të emergjencës dhe sistemeve të sigurisë në minierë. Kërkojmë gjithashtu investime urgjente nga shteti në sigurinë e minatorëve. Nuk mjaftojnë deklaratat dhe reagimet vetëm pas incidenteve", thuhet në reagim.
Sindikata ka thënë se “s’mund të presin tragjedinë për të reaguar”.
“Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës shpreh shqetësimin e tonë të thellë për situatën e krijuar në minierë, ku minatorët mbetën të bllokuar në thellësi të nëntokës. Ky rast është një alarm serioz për gjendjen e sigurisë në Trepçë dhe nuk guxon të kalojë në heshtje”, thuhet në reagim.
Edhe
Minatorët e ngujuar dalin nga miniera e Trepçës
Tutje thuhet se Sindikata ka ngritur vazhdimisht shqetësimet për kushtet e punës, pajisjet e vjetruara, rrugët emergjente, rreziqet profesionale dhe mungesën e investimeve në sigurinë dhe shëndetin e minatorëve.
Në reagim thuhet se minatorët nuk mund të vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t'u rrezikojë jetën.