Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pas 12 orësh të ngujuar, nxirren minatorët nga miniera

(E përditësuar 13:55) - Minatorët e ngujuar prej mbi 12 orësh në minierën në Trepçë janë nxjerrë jashtë.

Ekipet emergjente mjekësore i kanë pranuar me të dalë jashtë dhe janë dërguar për trajtim ata që kanë pasur nevojë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se ky rast do të hetohet për të parë nëse ka mundur të parandalohet dhe të merren hapa të tjerë.

“Hapi i radhës është të hetohet deri në fund se pse ka ndodhur ky aksident dhe a ka mundur të parandalohet. Për këtë presim raportet e inspektorateve përkatëse për të parë pastaj hapat që mund të merren nga menaxhmenti”, ka thënë ajo.

VIDEO: 


(E përditësuar 13:45) - Mbi 12 orë kanë mbetur të ngujuar 18 minatorët e Trepçës. Ata kishin mbetur aty rreth orës 01:30 të së enjtes dhe pavarësisht se u tha nga ndërmarrja se po bëhen përpjekje për nxjerrjen e tyre, ende nuk kanë dalë jashtë. 


(E përditësuar 11:20) - 18 minatorë janë ende të ngujuar në Trepçë. Ndërmarrja Trepça njoftoi se rreth orës 01:30 të së enjtes ka ndodhur ndërprerje e furnizimit me energji elektrike në Njësisë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg, si pasojë e një defekti në linjën 35 kV Stan Tërg.

29 punëtorë njoftohet se kishin dalë nga miniera, kurse pjesa e mbetur pritet të evakuohet "në mënyrë të sigurt brenda një intervali kohor prej rreth dy orësh".

"Sipas informatave nga terreni, në hyrje të trafostacionit në flotacion është shkëputur një përcjellës i linjës, ndërsa si pasojë janë dëmtuar izolatorët përcjellës, duke shkaktuar djegie në trafon që furnizon flotacionin me energji elektrike. Po ashtu janë evidentuar dëmtime edhe në stabilimentet tjera përcjellëse në trafostacion", thuhet në njoftimin e Trepçës.

Të gjithë punëtorët, sipas ndërmarrjes, janë në gjendje të sigurt, ndërsa ekipet teknike dhe skuadrat e shpëtimit janë mobilizuar dhe ndodhen në terren për sanimin e gjendjes dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike sa më shpejt që të jetë e mundur.

Shpëtim Dobra, drejtues i Bordit të “Trepçës”, ka bërë të ditur se disa që kanë qenë më mirë kanë arritur të dalin, ndërsa ata më të moshuarit kanë mbetur poshtë.

Minatorët kanë mbetur në horizonte të ndryshme deri në 770 metra thellësi. Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe vazhdimisht në komunikim me ekipet në terren. 


18 nga 40 minatorë kanë mbetur të ngujuar në minierën e Trepçës, bëri të ditur të enjten kryetari i Sindikatës, Ibrahim Jonuzi.

Siç ka thënë Jonuzi, aktualisht janë 18 minatorë që kanë mbetur brenda e të tjerët kishin dalë nëpërmjet daljeve dytësore.

Dyshohet se kjo ka ndodhur për shkak të problemit me energji elektrike.

Jonuzi ka thënë se tash për tash gjendja e minatorëve të ngujuar është e mirë, por se në rast të qëndrimit më të gjatë mund të përkeqësohet.

Edhe drejtori i minierës në Stan Tërg, Shyqyri Sadiku, ka konfirmuar se minatorët kanë mbetur të bllokuar që nga ora 01:30 pas mesnate.

“Shumica kanë dalë. Aktualisht 18 minatorë janë ende brenda, por jemi duke punuar për të gjetur një zgjidhje alternative. 50 minatorë kanë qenë brenda”, tha Sadiku.

Ai shtoi se gjendja shëndetësore e minatorëve të ngujuar është stabile.

Më 26 janar, për shkak të një defekti në furnizim me energji elektrike, ekipi i ndërresës së dytë të minatorëve në Stantërg pati mbetur i ngujuar për orë të tëra. Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, pati thënë atëkohë se kjo është hera e dytë brenda muajit që ndodh u diçka e tillë minatorëve të Stantërgut